Loading…

‘Llugë’ për anëtarin e KQZ’së: Haxhiu shmanget, Nagavci rrit presionin – PDK me kërkesë të prerë

  • 09/04/2026 | 11:25

‘Llugë’ për anëtarin e KQZ’së: Haxhiu shmanget, Nagavci rrit presionin – PDK me kërkesë të prerë

Çështja e plotësimit të vendit të dhjetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve po mbetet ende e pazgjidhur, teksa afati ligjor i 11 prillit po afrohet dhe qëndrimet e partive politike po vazhdojnë të jenë të kundërta, shkruan Gazeta Metro.


Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se aktualisht është duke u marrë me çështje që i konsideron më ‘urgjente’ sipas saj, duke theksuar se ky proces është dashur të përmbyllet nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

“Unë jam duke trajtuar çështjet që janë më prioritet. Një proces kushtetues i filluar më herët duhej të përfundonte me presidenten Vjosa Osmani. Sapo të kemi një analizë të gjitha dokumenteve, shkresave, aktgjykimeve dhe aktvendimeve, do t’ju njoftojmë me kohë”, tha Haxhiu.

Derisa Vetëvendosja kërkoi që emërimi të bëhet sa më shpejt, duke insistuar se vendi i takon kësaj partie.

“Besojmë se emërimi i anëtarit të paemëruar tashmë në KQZ nga presidentja Vjosa Osmani është e drejtë dhe i takon Vetëvendosjes bazuar në legjislacion dhe bazuar në rezultatin zgjedhor dhe forcat proporcionale të partive në Kuvend. Përbërja e KQZ-së përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe presim që u.d presidentja zonja Haxhiu sa më parë të emërojë anëtarin tjetër të KQZ-së që duhet të jetë propozimi i VV-së. Dhe shpresoj që Haxhiu ta bëjë këtë sepse përndryshe si Lëvizje duhet ta adresojmë edhe këtë”, tha Arbërie Nagavci.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës i ka dërguar një kërkesë zyrtare ushtrueses së detyrës së presidentes, duke kërkuar që të procedohet emërimi i anëtarit të saj të dytë në KQZ. Sipas kësaj partie, kjo është e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe jo çështje interpretimi politik. Në kërkesën e tyre thuhet se përbërja e KQZ-së ka mbetur e paplotësuar që nga mandati i kaluar presidencial dhe se përfaqësimi me dy anëtarë duhet të vazhdojë, duke u mbështetur në praktikat e mëparshme dhe balancën politike.

Ndërkohë, edhe njohësi i zgjedhjeve, Eugen Cakolli, paralajmëroi se çdo vendim që nuk përputhet me ligjin mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Afatet e përcaktuara ligjore tashmë janë shkelur dhe për mua ka qenë e pakuptimtë se si presidentja në ditët e fundit të mandatit të saj nuk e ka ushtruar një kompetencë e cila është kompetencë ekskluzive e saj”, tha Cakolli./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë