Fëmijëria është pjesa më e bukur e jetës për shumicën e personave! Ngjarjet që përbëjnë këtë pjesë të jetës janë të paharueshme, sidomos lojërat e ndryshme që na merrnin pjesën më të mëdha të kohës, si loja “ E ka kush e ka”, apo loja me litar e shumë tjera, shkruan Gazeta Metro.
Më poshtë ju sjellim disa nga këto lojëra, dhe mënyra se si luheshin:
1. Loja me llastik
Llastiku i gjatë lidhej në formën e një rrethi të madh dhe dy persona e mbanin të qëndruar fiks me këmbët e hapura përballë njëri-tjetrit, ndërkohë që lojtari duhej të hidhej e të manovronte mbi llastik. Niveli i vështirësisë së lojës rritej kur llastiku ngrihej nga kyçet e këmbëve drejt gjunjëve.
2. Loja “Telefoni i prishur”
Një varg njerëzish transmetonin tek njëri-tjetri një fjalë të thënë në vesh, nga i pari tek i fundit i lojës. Qëllimi ishte që fjala të dilte ashtu siç ishte thënë nga personi i parë. Nëse gabohej dhe fjala ndryshohej, personi që kishte gabuar skualifikohej nga loja dhe kështu vazhdohej me të tjerët me rradhë.
3. Loja “E ka kush e ka”
Loja konsistonte në një grup fëmijësh që vraponin për t’i shpëtuar personit që i ndiqte. Kur ky i fundit kapte një prej fëmijëve, i kapuri duhet të niste lojën sërish në ndjekje të të tjerëve, për t’ja lënë stafetën dikut tjetër.
4. Loja polici-hajduti
Loja luhej me katër lojtarë. Secili prej tyre merrte rolin që zgjidhte pa e parë në letrën e palosur të vendosur në tavolinë. Njëri prej lojtarëve ishte në rolin e hajdutit, njëri në rolin e spiunit, njëri në atë të policit dhe tjetri të gjyqtarit.
Pa parë letrat e kundërshtarëve dhe pa e ditur se ç’role kishin, ata duhet të gjenin mes tyre se ç’rol kishte secili dhe pasi ishin gjetur të gjithë, gjykatësi i jepte dënimin hajdutit.
5. Lojëra me duar
Dy persona përballë njëri-tjetrit trokasin pëllëmbët e duarve duke i kombinuar me lëvizje të ndryshme që shtohen në numër. Personi që ngatërron i pari lëvizjen dhe humb ritmin e lojës, quhet humbës./gazetametro.net