Loading…

Lojëra lufte

  • Nga

  • DARDAN ISLAMI

  • 01/08/2022 | 21:43

Lojëra lufte

Veriu i trazuar i Kosovës përsëri po bën lajm në mediat botërore, por as barrikadat, as rrahja dhe dëbimi i shqiptarëve, as pranimi selektiv i autoriteteve Kosovare atje, e as influenca serbo-ruse, nuk janë lajm i ri. Pra çka me të vërtetë fshihet pas mjegullës së vendimit të 1 Gushtit, çka e bën situatën më të rrezikshme atje sot se dje?


Shkruan: Dardan Islami

Një deklaratë e Vuçiq dje kaloi pa vëmendje nga mediat, kur ai po pyetej nga gazetarja, se “a e dëshiron Perëndimi një konflikt në Kosovë”, ndërkaq ai i prerë në përgjigjen e tij e bëri të qartë dy herë, se “Perëndimit më së paku i konvenon një konflikt i armatosur në Kosovë”, ai tha se “janë qarqe të tjera ato”, duke aluduar në Moskën dhe disa shtete të tjera, të cilat sipas tij janë të interesuara për destabilizimin e Ballkanit.

Me këtë, ai la të kuptohet se po distancohet nga Kremlini, çka nënkupton se mund ta humbë kontrollin e plotë mbi pushtetin e vet, ku struktura pro ruse që tashmë e përbëjnë një të tretën e administratës shtetërore, policisë dhe ushtrisë serbe, të ndërthurura me kriminelë të gjeneratës së vjetër dhe të re, që i kanë dhënë vetes detyrë ta “çlirojnë Kosovën nga NATO dhe shqiptarët” me bekimin e Kishës Ortodokse Serbe dhe me ndihmën dhe financimin e Putinit, ata vazhdojnë t’i mbeten besnikë Kremlinit.

Pra kemi një situatë të re, ku me apo pa Vuçiqin në pushtet, këta paramilitarë që tash i kanë mbushur malet e Kosovës dhe përreth saj, në një moment mund t’i dalin komplet nga kontrolli Beogradit zyrtar! Shoqëria e polarizuar serbe ngjan sot shumë me situatën në Ukrainë në vitin 2013/14, atëherë kur Ukraina ishte e ndarë në dy pole, atë pro-perëndimor dhe atë pro-rus, dhe si pasojë e ndasive dhe përzierjes së drejtpërdrejtë të Kremlinit aty, plasi lufta civile e provokuar nga separatistët, ku pasoi aneksimi i Krimesë dhe rishtazi okupimi i pjesës jug-lindore të Ukrainës nga Rusia.

Vuçiqi preferon që konflikti të bartet në Kosovë apo gjetiu, me shpresë që një lufte civile mos t’i ndizet brenda Serbisë, ku tashmë është e qartë se forcat pro-perëndimore dhe ato pro-ruse janë shumë të ndara, dhe se është e vështirë se mund të bashkëjetojnë gjatë në paqe. Ata do t’i bashkonte vetëm një kauzë e fuqishme, ndonjë luftë jashtë kufijve, përndryshe pasojat e një politike të rrezikshme që e kultivoi Vuçiq duke flirtuar me Putinin, e kanë vënë atë dhe vendin e tij në një situatë tejet të rrezikshme, ku qarqet pro-ruse falë infrastrukturës së tyre shumëvjeçare, tani veprojnë paralelisht e shpeshherë edhe komplet të pavarura, ekskluzivisht për interesat ruse. Reagimi i shpejtë Amerikan në qetësimin e situatës duke e ndihmuar Vuçiqin, por edhe përgjigjja pozitive nga qeveria e Kosovës, tash për tash mund edhe t’i ulin gjakrat, por provokime të tilla të kësaj lufte speciale, ku vërehet një mobilizim më i madh se herëve të tjera, vjen ne nje moment kritik, me mundësi reale përshkallëzimi.

Mjafton një incident, si vrasje e policëve, apo ndonjë inskenim në ndonjë fshat serb siç qe rasti “Panda”, dhe rajoni mund të rrëshqasë në konflikte si në vitet e 90-ta. Lufta speciale luftohet më së miri duke e ftuar Vuçiqin në Kosovë që t’i vizitojë ato lokacione, ato kisha për të cilat fliste dje në konferencë, ku do të bisedonte me serbë e shqiptarë vendas, duke u bindur vetë, se të dhënat që i vihen në tavolinë nga shërbimet e sigurisë, edhe mund të mos jenë 100% të sakta. Të veçantë këtë konferencë e bëri edhe fakti se Vuçiq kësaj radhe me tone të qeta apelonte dhe luste për paqe, për dallim prej herëve të tjera, dje nuk kishte “drama” dhe ironi të tepruar. Ai gjendet para një presioni të madh nga njëra anë, dhe në të njëjtën kohë kërcohet nga ana tjetër! Në këtë situatë ai po përpiqet të përfitojë maksimum nga oferta perëndimore duke e nxjerr një autonomi speciale për serbët në Kosovë, e quajtur “Bashkësi e Komunave Serbe”.

Synimi i qeverisë së Kosovës duhet të jetë jetësimi i Autonomisë për serbët, nëse ajo sjell për Kosovën njohje nga Serbia, me çka dhe do të stabilizohej rajoni si garanci për paqe afatgjate. Se ku po shkon Serbia do ta kuptojmë në muajin Gusht kur edhe pritet emërimi i qeverisë së re atje, përbërja e së cilës do të jetë sinjal i qartë se a do të vazhdojë Serbia e zënë peng nga Putini, ta mbajë peng tërë rajonin, apo do të jetë pikërisht Vuçiq ai që do ta çlirojë Serbinë dhe rajonin duke e njohur pavarësinë e Kosovës, dhe duke iu bashkuar NATO-s, gjegjësisht duke u pajtuar me fqinjët që e rrethojnë, tash kur neutraliteti po duket, paksa i pamundur.

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë