Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ngriti shqetësimin për ecurinë e përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke ia atribuuar Qeverisë së Kosovës rrezikun për mosrealizimin e këtij organizimi, transmeton Gazeta Metro.
Përmes një reagimi në Facebook, ai i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti dhe kabinetit qeveritar që të zbatojnë zotimet dhe marrëveshjet e arritura deri më tani, në mënyrë që përgatitjet të vazhdojnë sipas planit.
Rama është thirrur edhe në një letër të datës 15 tetor, përmes së cilës, sipas tij, Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka paralajmëruar se qasja e institucioneve qendrore mund të rrezikojë mbajtjen e garave në Kosovë.
“Në letrën e datës 15 tetor, ICMG-ja ka paralajmëruar qartë se qasja e Qeverisë së Kosovës po rrezikon mbajtjen e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Në takimin e javës së kaluar të Komitetit Organizativ, përsërita qëndrimin tim, përgatitja dhe organizimi i Lojërave duhet të zhvillohen në koordinim të plotë me ICMG-në, duke shfrytëzuar përvojën dhe ekspertizën e saj dhe duke zbatuar marrëveshjet dhe vendimet e miratuara deri më tani!”, shkroi Rama.
Ai pretendoi se Komuna e Prishtinës i ka përmbushur detyrimet që i takojnë në kuadër të këtij projekti, ndërsa ka kërkuar që edhe niveli qendror të veprojë në përputhje me përgjegjësitë e marra.
Në fund të reagimit, kryetari i kryeqytetit ka përsëritur thirrjen drejtuar Kurtit, duke paralajmëruar se mundësia që Kosova të humbë organizimin e kësaj ngjarjeje sportive është serioze.
“Vazhdimisht kemi kërkuar që edhe Qeveria t’i përmbushë të vetat dhe ta marrë seriozisht paralajmërimin e ICMG-së. Po e ngre publikisht alarmin: Rreziku që t’i humbim Lojërat Mesdhetare PRISHTINA 2030 është serioz. Kryeministër, zbatoni atë për të cilën jeni dakorduar, keni nënshkruar dhe jeni obliguar. Koha po kalon dhe përgjegjësia nuk mund të mbulohet me fjalime militantësh pastaj! Mos ia humbni qytetarëve të Kosovës këtë mundësi historike!”, shkroi tutje Rama./gazetametro.net