Varret në Zllatar të Komunës së Prishtinës do jenë banesa e fundit për Astrit Deharin, i cili ndërroi jetë të shtunën në burgun e Prizrenit.
Trupi i pajetë i të ndjerit Astrit Dehari është varrosur para pak momentesh në një ceremoni ku përveç familjarëve, miqëve dhe deputetë e aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, morën pjesë edhe shumë qytetarë të tjerë.
I pranishëm për t’i dhënë lamtumirën e fundit Astritit, ishte edhe deputeti Albin Kurti, e kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti të cilët thanë disa fjalë para arkivolit të tij.
Që të dy kërkuan drejtësi për vdekjen e Astritit, shkruan gazetametro.net.
“Kemi mbetur pa diellin, por jo pa dritën në këto ditë të zeza. Kemi humbur diellin, por kemi një natë me mijëra yje. Astriti ishte yll”, ishin fjalët e Albin Kurtit.
Ndërsa i pari i Prishtinës tregoi për punën që Astriti kishte bërë në komunën e Prishtinës.
“Astriti na tregoi si punohet me vetëmohim, me ideale dhe me përkushtim. Pak prej jush e dini që Astriti ishte ndër njerëzit kryesorë që punoi me përkushtim për sistemin shëndetësor në Komunën e Prishtinës”, u shpreh Ahmeti.
Ai tha se do ndjekë idealin e Astritit për një Kosovë të pavarur dhe të zhvilluar, duke thënë po ashtu se drejtësisë do t’i shkojnë deri në fund./gazetametro.net