Qendërmbrojtësi i Zenit, Dejan Lovren ka dhënë një deklaratë të çuditshme rreth vendimit të FIFA’së që të pezullojë Rusinë nga garat ndërkombëtare. Ai beson se Rusia nuk e ka merituar të përjashtohej nga Kupa e Botës 2022 në Katar, transmeton Gazeta Metro.
Reprezentuesi kroat pavarësisht luftës së vazhdueshme midis Rusisë dhe Ukrainës është ende i indinjuar nga fakti që kombëtarja ruse e futbollit nuk ishte në gjendje të merrte pjesë në Kupën e Botës.
Ai thotë se sporti dhe politika duhet të ndahen dhe Rusia do të duhej të lejohej të merrte pjesë në kampionatin botëror.
”Sigurisht, jam i zemëruar që Rusia nuk është në Kupën e Botës. Unë gjithmonë kam thënë se sporti dhe politika duhet të ndahen. Rusia është një kombëtare e madhe dhe është turp që ata nuk janë gjithashtu në Kupën e Botës. Gjithashtu, edhe kombëtarët dhe lojtarët e tjerë të mëdhenj, si Italia apo miku im Mohamed Salah. Por mendoj se gjërat do të ndryshojnë së shpejt, gjithmonë duhet të mendosh pozitivisht,” tha ai në konferencë për media dhe siç duket ka për synim t’i bëjë argatin pronarëve të ekipit rus, Zenit.
Rusia ishte kualifikuar në ‘play-offin’ e Kupës së Botës dhe ishte vendosur të zëvendësohej me Poloninë më 24 mars. Megjithatë, pas invadimit të shtetit rus në Ukrainë më 24 shkurt, FIFA pezulloi ekipin kombëtar si dhe klubet ruse në garat e tyre.
Vlen të theksohet se situatë e ngjashme kishte qenë edhe më 1992, gjatë luftërave në Jugosllavi kur ishte sulmuar Kroacia dhe Bosnjë e Hercegovinës dhe kombëtarja u pezullua nga garat ndërkombëtare si pjesë e një sanksioni të Kombeve të Bashkuara. Mesa duket Lovren i ka harruar këto gjëra. /gazetametro.net