Loading…

Lufta speciale e Serbisë kundër Kosovës, propagandat dhe inskenimet para dhe pas luftës

  • 20/03/2019 | 16:35

Lufta speciale e Serbisë kundër Kosovës, propagandat dhe inskenimet para dhe pas luftës

Njohësi i çështjeve të sigurisë Valdet Devaja në këtë intervistë, flet për njërën prej luftërave më speciale të Serbisë kundër Kosovës: propagandën dhe inskenimin e rasteve të ndryshme , transmeton Gazeta Metro.


Për dekada të tëra, para luftës së fundit në Kosovë dhe edhe pas përfundimit të saj, propaganda serbe është treguar një makineri e frytshme e spekulimeve, sajimeve dhe montimeve të rasteve të ndryshme në kurriz të shqiptarëve të Kosovës.

Në vitet ‘80, destabilizimi i Kosovës mundohej të bëhej përmes inskenimeve të konflikteve ndëretnike, si për shembull fajësimi i shqiptarëve për keqtrajtimin e serbëve, shkatërrimin e varrezave të tyre, me qëllim që t’i bëjnë ta braktisin vendin.

Një rast i çuditshëm është ai i Martinoviqit. Ndërsa një prej rasteve më të përbindshme është ai i vrasjes së të rinjve serbë, gjatë luftës. E gjithë kjo ka vazhduar edhe pas luftës.

Janë regjistruar një mori rastesh të përpjekjes së shtetit serb që ta destabilojë gjendjen në Kosovën e pavarur përmes vrasjeve të politikanëve apo banorëve serbë të vendit. Rasti i fundit është ai i vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Ndërkohë, presidenti serb Vuçiq ka bërë një deklaratë që të gjithëve ua ka rikujtuar një deklaratë famkeqe të Millosheviqit.

Pyetje: Jemi në një periudhë kur mendohet se Gjykata Speciale mund ta dridhë skenën politike të Kosovës. E tëra lidhet edhe me dokumentin e Dick Martit, ku disa prej akuzave duken sikur të dala nga filmat e Hollivudit. A mendoni se këto akuza janë ma tepër në nivel spekulimesh dhe metodë e shërbimeve serbe për të destabilizuar politikën në Kosovë?

Valdet Devaja: Gjykata Speciale e ka dridhur skenën politike, por edhe ka ngjallur indinjatë në shoqërinë kosovare. Kosova në luftën e fundit ka dalë me një numër të madh të viktimave në njerëz dhe me dëme të mëdha materiale. Pjesëtarët e UÇK-së u gjykuan nga gjykatat e UNMIK-ut si dhe para gjykatës ndërkombëtare për krime lufte ne Hagë. Pas gjithë këtyre, shoqëria kosovare është skeptike me të drejtë edhe me këtë gjykatë.

Ndoshta jo rastësisht fillimi i punës së Gjykatës dhe thirrjet për intervistime po korrespondojnë me kohën kur po vjen deri te finalizimi i bisedimeve Kosovë –Serbi. Po kjo gjë ngjall njëfarë frikë se të gjitha ato që po ndodhin, e do të ndodhin, rreth Gjykatës, do të dëmtojnë pozicionin e Kosovës karshi Serbisë. Por, në anën tjetër nuk duhet harruar se njëri nga aleatët tanë, ShBA, kanë qenë pro formimit të kësaj gjykate, me qëllim të heqjes së çdo dyshimi se shqiptarët e Kosovës kanë kryer krime lufte.

Republikat tjera të ish-Jugosllavisë kanë formuar gjykatat nacionale për t’i gjykuar krimet e luftës dhe pas mbylljes së gjykatës së Hagës, lëndët për krime lufte u janë dërguar gjykatave vendore. Kjo nuk ka ndodhur në rastin e Kosovës, pasi është vlerësuar se Kosova nuk ka kapacitete për t’i gjykuar rastet e krimeve të luftës. Nëse kjo është e vërtetë, një pjesë të fajit e bartin institucionet vendore, por një pjesë të madhe të fajit e ka bashkësia ndërkombëtare, e cila edhe pas shumë vitesh të pranisë së saj në Kosovë, nuk ka arritur t’i ndërtojë këto kapacitete.

Sa i përket raportit te Dick Martit dhe rastit të shtëpisë së verdhë, duhet cekur se ky rast fillimisht është përmendur në librin e Carla del Pontes. Ajo, jashtë mandatit të saj, ka autorizuar shefin e forenzikës në UNMIK, Hose Pablo Baraibar, të kryejë hetimin për rastin në fjalë, jashtë kompetencave dhe mandatit të tij. Në bazë të këtij raporti është përpiluar edhe raporti i Dick Martit, pas të cilit u iniciua formimi i Gjykatës Speciale.

Janë po ashtu shqetësuese deklaratat e politikanit serb Milan St. Protic, i cili ka thënë se ka arritur ta bindë Dick Martin për rastin e shtëpisë së verdhë dhe për rastet tjera që kanë ndodhur në Kosovë dhe se me këtë rast ia ka dorëzuar njëmijë faqe material dokumentues për krimet e supozuara të UÇK-së, të përpiluara nga Prokuroria për krime lufte e Serbisë.

Dihet tashmë se që para dhjetë vitesh policia e Kosovës kishte arrestuar tre pjesëtarë të BIA-s, të cilët në Kosovë janë përpjekur të sigurojnë dëshmitarë të rrejshëm, që për shuma të mëdha parash do të dëshmonin për trafikimin e organeve. Pra, siç vërehet, procesi i ngritjes, hetimit dhe ndërtimit të pretendimeve në lidhje me këtë çështje, është i dëmtuar në kuptimin e kredibilitetit.

Pavarësisht se nga përvoja personale, i intervistuari i parë nga Gjykata Speciale, Rrustem Mustafa ka potencuar dhe vlerësuar seriozitetin dhe profesionalizmin e punës së kësaj Gjykate. Ai vetë më herët është ballafaquar me gjykatat e UNMIK-ut dhe EULEX-it.

Pyetje: Duket se metodat e ndryshme të propagandës dhe inskenimeve nuk janë të huaja për shërbimet serbe. Keni përmendur rastet e inskenimeve të ndryshme serbe me qëllim fajësimin e shqiptarëve. Apo i shfrytëzimit të rasteve madje edhe banale për të fajësuar shqiptarët. I tillë ishte edhe rasti Martnovic, për të cilin thuhet se ishte vetëlënduar…

Valdet Devaja: Politika serbe karshi Kosovës, tradicionalisht ka qenë e ndërtuar mbi një propagandë antishqiptare, e cila ka realizuar qëllimet e veta përmes shërbimeve sekrete serbe. Rasti Martinovic ka qenë një rast, po ashtu i inskenuar, i cili u shfrytëzua nga shërbimet serbe, ku një vetëlëndim u paraqit si një vepër makabre e kryer nga shqiptaret me qëllim të frikësimit dhe shpërnguljes së serbëve nga Kosova.

Provat fillestare dëshmuan se i dëmtuari është vetëlënduar. Pavarësisht presioneve që procesverbalet nga vendi i ngjarjes të falsifikohen e ndryshohen, ato dolën para gjykatës në Gjilan. Madje në atë kohë, në vitet ‘80, edhe sekretari federativ për punë të brendshme Stane Dolanc, ishte pajtuar me të gjeturat e hetimeve në vendin e ngjarjes.

Ai pati deklaruar se në bazë provave të gjetura në vendin e ngjarjes, super-ekspertizës së kryer në Institutin e Lubjanës është ardhur në përfundim se pas këtij akti të shëmtuar nuk qëndrojnë shqiptarët, por se ky rast është politizuar dhe shfrytëzuar nga qarqet serbe për ta paraqitur popullin serb si të rrezikuar nga shqiptarët.

Pyetje: Por inskenimet serbe si duket janë bërë me kalimin e viteve edhe më të rënda… rasti i ekzekutimit të të rinjve serbë në Pejë, i njohur si rasti “Panda”. Çka ndodhi realisht aty dhe çfarë ka thënë madje edhe drejtësia e Serbisë për rastin?

Valdet Devaja: Rasti Panda ka ndodhur në Pejë, në vitin 1998, në kohën kur tashmë edhe kishte filluar lufta në Kosovës.

Gjatë një sulmi në kafiterinë Panda mbetën të vrarë gjashtë të rinj serbë dhe u plagosën tre. Sulmin e kishin kryer dy persona të maskuar dhe të armatosur me armë automatike. Në atë kohë, institucionet e instaluara serbe në Kosovë, nuk kanë kryer kurrfarë hetimi për këtë rast, por për këtë serish u fajësuan shqiptarët.

Kjo madje shërbeu edhe si alibi që të intensifikoheshin sulmet e ushtrisë serbe mbi popullatën shqiptare jo vetëm në Pejë, por në gjithë rajonin e Dukagjinit, si dhe që UÇK-ja të etiketohej si organizatë terroriste.

Shumë vjet pas luftës, në vitin 2014, nënkryetari i atëhershëm serb Aleksandër Vuçiq ka deklaruar se për rastin Panda ekzistojnë informata se nuk kanë dorë shqiptarët dhe që së shpejti do të bëjë publike informatat e reja të cilat nuk do të jenë të këndshme për opinionin. Por, sot e kësaj dite, Aleksandër Vuçiq nuk ka dhënë asnjë detaj për informatat që ka thënë se i posedon.

Ajo që është sinjifikative është fakti se në vitin 2015, lënda për rastin Panda, është marrë nga Prokuroria për Krime Lufte, ku ka qenë fillimisht dhe aktualisht ka kaluar në Prokurorinë për krim të organizuar. Shtrohet pyetja: përse rasti Panda nuk u hetua nga Prokuroria për krime lufte e Serbisë?

Pyetje: A kanë vazhduar inskenimet e politikës serbe edhe gjatë luftës dhe pas saj. Cilat janë rastet tjera ku mendohet se kishte dorë shërbimi serb?

Valdet Devaja: Inskenimet e politikes serbe kanë vazhduar edhe pas luftës. Ishte viti 1999 kur u sulmua Mimcilo Trajkovic, një politikan lokal serb i Prishtinës, i cili u plagos në banesën e tij. Mediat serbe e kualifikuan si sulm ndëretnik, politika serbe e paraqiti rastin si sulm ndaj popullatës së mbetur serbe në Kosovë.

Gjithçka shpejt u qartësua nga KFOR-i, i cili doli me komunikatën se i përmenduri me vetiniciativë, dhe pa asnjë sqarim shtesë, ka kërkuar që në ditën kritike të largohen pjesëtarët e KFOR-it nga banesa e tij dhe ambienti ku ai ruhej nga forcat e KFOR-it.

Ndërsa në vitin 2011, ish parashutisti i Brigadës elite 63 të ushtrisë serbe, Dejan Plavsic, ka deklaruar se atë e ka angazhuar ish drejtori i BIA-s, Sasha Vukadinovic, së bashku me disa funksionarë policie e prokurorie serbe, që të kryejë atentat ndaj Sasha Lukovacit, polic dhe sindikalist i policisë. Atentati është dashur të kryhet në momentet e patrullimit të tij përgjatë vijës kufitare Kosovë – Serbi, ndërsa të shtënat të vinin nga territori i Kosovës. Dmth edhe në rastet kur kanë qëruar hesapet e tyre të brendshme, serbët kanë synuar të etiketojnë shqiptarët e Kosovës.

Pyetje: 20 vjet pas luftës dhe serbët nuk po bashkëpunojnë për të ndërtuar një Kosovë të pavarur e me institucione kredibile e të pavarura edhe në nivelin lokal ku vet janë shumicë. Thjesht, serbët po refuzojnë shtetin dhe marrin pjesë në ndarje të pushtetit vetëm sipas instruksioneve dhe interesave të Beogradit. A janë shndërruar serbët e Kosovës në mjete me të cilat Beogradi vazhdon të inskenojë rrezikun që serbëve u kanoset nga shqiptarët?

Valdet Devaja: Po ja e kemi rastin e freskët, kur disa ditë para transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës, presidenti serb jep urdhër që të gjithë pjesëtarët serbë ta braktisin FSK-në. Pastaj pasuan kërcënimet ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së, ndalimet e maltretimet në kufi, sulme me granata dore, të gjitha këto presione për të sabotuar krijimin e ushtrisë. Presidenti serb po ashtu ka bërë fushatë edhe kundër aplikimit në konkursin për pranimin e rekrutëve serbë në Ushtrinë e Kosovës.

Gjatë fushatës është parë në shoqëri të Milan Radoicicit, i shpallur në kërkim nga drejtësia kosovare. Zyrtarët serbë kanë shkuar edhe më larg. Drejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë dhe Metohi” në Qeverinë e Serbisë Marko Djuric, ua ka “përkujtuar” serbeve lokalë të Kosovës se pjesëmarrja në ushtritë e huaja sipas kodit penal të Serbisë dënohet deri në dhjetë vjet burg. Kështu që me gjithë mundin e shtetit të Kosovës për të integruar serbët në institucione, kjo po vazhdon të sabotohet nga shteti serb. Kjo dëshmon se edhe serbët e Kosovës janë përballur e po vazhdojnë të përballen me kërcënime.

Pyetje: Vrasja e zyrtarëve serbë, p.sh vrasja e Ivanoviqit a kishte motive të ngjashme, eliminimin e tij dhe fajësimin e shqiptarëve? A nuk është e çuditshme që i akuzuari kryesor në këtë rast thuhet se ndodhet në Serbi?

Valdet Devaja: Disa dite para se te vritej, Oliver Ivanovic ka deklaruar se nuk ndihet i rrezikuar nga shqiptarët, por nga bashkëkombësit e vet. Pas hetimeve të kryera nga institucionet kompetente kosovare, janë kryer arrestime dhe është shpallur në kërkim Milan Radoicic,  nënkryetar i Listës Srpska dhe njeri i afërt me presidentin Vuçiq, të cilin vet Oliver Ivanoviqi e pati akuzuar si njeriun më të fuqishëm të krimit të organizuar në pjesën veriore të Mitrovicës.

Edhe pse fillimisht shteti serb kishte kërkuar të bëhej pjesë e hetimeve dhe deklarativisht kishte premtuar se do të ndihmojë me informata për t’u zbardhur vrasja, kjo nuk ka ndodhur.

E ndërkohë, Milan Radoicic ndodhet në Serbi. Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë dhe Metohi” në Qeverinë e Serbisë Marko Djuric ka marrë edhe rolin e gjykatësit dhe ka “shpallur” të pafajshëm Milan Radoicicin në rastin e vrasjes së Oliver Ivanovicit, me arsyetimin se paska kaluar ne Poligraf ! Drejtësia kosovare por as ajo serbe, nuk e pranojnë poligrafin si provë. Obstruksionet serbe, jo vetëm në rastin Ivanoviq, vazhdojnë fatkeqësisht edhe sot.

Pyetje: Në një deklarim të tij, presidenti serb Vuçiq, këto ditë, ka thënë se “do të ketë paqe deri atëherë kur dikush nuk nis të vrasë serbët e Kosovës”. A ju kujton kjo, në një formë më të sofistikuar, thirrjen e dikurshme të Millosheviqit apo një paralajmërim e nxitje për të ‘inskenuar’ sulme e incidente të ngjashme? A mund të priten inskenime e destabilizime ku do të fajësoheshin shqiptarët dhe ku do të ‘krijohej’ alibia e ndarjes së Kosovës?

Valdet Devaja: Deklarata e fundit te presidentit Vuçiq se “paqe do të ketë deri sa dikush nuk fillon t’i sulmojë serbët dhe t’i vrasë ata”, përkujton fjalimin e Slobodan Milloshevicit, drejtuar serbëve të Kosovës me fjalët: “askush s’guxon t’ju rrah!” . Pas çdo vendimi që shteti i Kosovës ndërmerr për ta konsoliduar shtetësinë e vet, presidenti i Serbisë rrit nivelin e gatishmërisë së ushtrisë serbe dhe dërgon mesazhe kërcënuese ndaj Kosovës. Po, të gjitha mesazhet që ka dërguar deri tani presidenti Vuçiq, kanë qenë kërcënuese.

Sepse kjo është gjitha që njeh ai, kjo është gjuha që, një kohë tepër të gjatë, njeh edhe politika serbe. Andaj, institucionet e sigurisë në Kosovë duhet të jenë vigjilente, por njëkohësisht shoqëria kosovare në tërësi të mos provokohet nga deklarimet e çfarëdollojshme që vijnë nga shteti serb.

Në kohën kur po flitet për një marrëveshje përfundimtare Kosovë – Serbi, kur tensionet për atë se si do të përcaktohet apo ripërcaktohet vija kufitare midis dy vendeve, janë të pranishme, shteti serb po mundohet të pozicionohet sa ma mirë në raport me shtetin e Kosovës. Por deklaratat e presidentit Vuçiq janë në vazhdimësi kontradiktore.

Në njërën anë deklaron se dëshiron paqe me popullin e Kosovës, e në anën tjetër fol për sukseset e Serbisë, kur ajo paska ‘arritur’ ta ndalojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, siç ishte rasti i fundit me mos anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, apo pezullimin e njohjeve të shteteve që e kanë njohur Kosovën.

Ajo vazhdon me avazin e vjetër, pavarësisht se në Bruksel, është zotuar se nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. E përmes Listës Srpska, shteti serb po mundohet të jetë ende faktor i vetëm i vendimmarrjes së serbëve të Kosovës./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë