Deputeti i LDK”së, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar Vetëvendosjen se ka shkelur njërën nga marrëveshjet e arritura në ditën e parë të diskutimeve për arritjen e koalicionit qeverisës, transmeton Gazeta Metro.
Abdixhiku ka thënë se Vetëvendosje ka shkelur marrëveshjen për të cilin ishin marrë vesh që të mos bëhet asgjë publike derisa të arrihet marrëveshja finale.
Ai tha se Vetëvendosje ka nxjerrë diskutimet nga tavolina e liderëve në publik.
“Kur takohen dy liderë, dhe vetëm ata dy në takim, nuk i takon të tretit të interpretojë detajet e takimit. Nëse vendosin ta bëjnë publike substancën e takimit, mund ta bëjnë. Edhe po të më takonte të interpretoja do të thosha dy marrëveshje që kemi, që asgjë s’është e marrë vesh derisa gjithçka të merret vesh dhe e dyta që është shkelur që substanca e diskutimeve të mos bëhet publike derisa të ketë marrëveshje finale”, tha Abdixhiku në Rubikon.
“Gjatë javës së kaluar ka pasur zyrtarë të VV-së që diskutimet nga tavolina e liderëve i kanë bartur në publik. Kjo është mes naivitetit dhe qëllimit jo të mirë për të arritur marrëveshje, sepse tjetër shpjegim s’mund të gjej, por kur e vendos diskutimin mes palëve me mirëbesim, në publik e dërgon te militantët”.
“Atë që e kemi ndërtuar për dy vjet gjatë opozitarizmit të përbashkët, kur parandaluam qeverisjen më të keqe që ka pasur Kosova e të marrim iniciativa të mira, mirëbesimin me përafrimin e dy palëve, dhe mirëbesimin e ndërtuar gjatë takimeve përafruese, kam përshtypje se e lëkundim po që se e vendosim debatin në publik. Kjo e ul nivelin e mirëbesimit. Dua të besoj se kjo është e shkuar dhe se takimi i sotëm shërben për rindërtimin e mirëbesimit dhe kthejnë nivelin e beismit në nivel optimal për të ndërtuar qeverisje të gjatë”./gazetametro.net