Dy ish-komandantët e UÇK’së, Sami Lushtaku e Rrustem Mustafa, janë nisur për në Kosovë nga Haga, ku ishin të ftuar në Gjykatën Speciale, transmeton Gazeta Metro.
Lushtaku e Mustafa kanë qëndruar atje katër ditë, ku janë marrë në pyetje për orë të tëra nga prokurorët ndërkombëtarë.
Mustafa, i njohur si Remi, pasi u intervistua për plot 16 orë, ka thënë se është marrur në pyetje si ‘’dëshmitar i dyshuar’’, ndërsa Lushtaku ende nuk dihet se në çfarë cilësie është pyetur nga prokurorët në Hagë.
Pas intervistimit, ish-komandanti për zonën e Llapit, Remi, ka publikuar një postim në rrjetin social Facebook, përmes të cilit tregoi se një ndër pyetjet në Hagë ishte edhe se a do të mbronte UÇK’në, për të cilën tha se UÇK’ja tani e mbronë atë, transmeton Gazeta Metro.
Ndërsa ish-komandanti në Zonën e Drenicës, Lushtaku, ende nuk ka bërë ndonjë deklarim pas intervistimit të tij në Gjykatë.
Sidoqoftë, gjatë ditëve në vijim, për në Hagë pritet të udhëtojnë edhe ish-komandantë e ushtarë të tjerë të UÇK’së, të cilët janë ftuar nga Gjykata Speciale.
Në mesin e të ftuarëve në Hagë janë edhe Sylejman Selimi, Remzi Shala, Sokol Dobruna, Nazim Mehmeti e disa të tjerë.
Në gusht të vitit 2015, deputetët e Kuvendit të Kosovës i thanë ‘Po’ Gjykatës Speciale.
Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, ata votuan ndryshimet kushtetuese të cilat i hapën rrugë themelimit të kësaj gjykate, e cila u kërkua nga bashkësia ndërkombëtare./gazetametro.net