Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutf Haziri ka deklaruar se zgjedhjet e reja në vend janë opsioni real dhe më i miri për tejkalimin e të gjitha situatave që kanë kapluar Kosovën, shkruan Gazeta Metro.
Haziri po thotë se Kosova ka nevojë për stabilitet dhe se opsion janë zgjedhjet nëse partitë e tjera nuk dëshirojnë stabilitet në vend.
“Nëse dëshirojmë të kalojmë zgjedhjen e presidentit dhe aktakuzat, atëherë Kosova ka nevojë për stabilitet si oksigjeni. Ne e kemi ofruar vetën për stabilitet, nëse nuk dëshirojnë të tjerët, atëherë opsion janë zgjedhjet. Nëse nuk dëshirojnë stabilitet përmes dialogut politik, atëherë opsioni i zgjedhjeve nuk përjashtohet. Presidenti do të zgjidhet pas zgjedhjeve”, ka thënë Haziri.
Haziri ka thënë se të gjitha partitë në Kosovë nuk po duan koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, ai thotë se pas zgjedhjeve të 6 tetorit partia më e izoluar është Vetëvendosje.
“Është VV-ja pasi që askush s’dëshiron të hyjë në qeverisje me ta”, ka thënë Haziri në RTK.
Nënkryetari Haziri ka thënë se vija e kuqe LDK’ja i kishte vendosur ndaj PDK’së në zgjedhjet e kaluar, respektivisht ndaj Kadri Veselit, pasi që ai ishte kryetar i koalicionit të kaluar qeverisës.
“S’duhet të ketë vija të kuqe, edhe pse ne i kemi vendosur vetë ato si debat i brendshëm dhe kështu ka ndodhur, pra kemi pasur vija të kuqe për PDK’në”, ka thënë Haziri.//gazetametro.net