Loading…

Mahmuti thotë se UÇK-ja nuk ka vrarë civilë, mohon se është autor i Komunikatës së 59-të të UÇK-së

  • 21/09/2023 | 19:30

Mahmuti thotë se UÇK-ja nuk ka vrarë civilë, mohon se është autor i Komunikatës së 59-të të UÇK-së

Dëshmitari Bardhyl Mahmuti e ka mohuar autorësinë e komunikatës së 59-të të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në të cilën ishte shpallur tradhtar Gani Geci pas vrasjes së Abedin Rexhës.


Mahmuti ka thënë se komunikata ka qenë kërkesë e NATO-s dhe SHBA-së dhe se ai e ka diktuar te njerëzit që të publikohet nga Kosova por se nuk është autor i atij dokumenti.

Këtë deklaratë Mahmuti, në cilësinë e dëshmitarit, e ka dhënë të enjten në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

Ai ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk ka vrarë civilë. Këtë konstatim, Mahmuti e ka dhënë duke iu përgjigjur në kundër-pyetjet e prokurorit të specializuar Filippo De Minicis, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Mahmuti tha se që nga marsi i 1998-ës deri në qershor 1999, ka mbajtur mbi 30 konferenca në seli të Kombeve të Bashkuara dhe se këtë qëndrim e ka përsëritur gjithmonë.

Këto deklarime erdhën pas fillimit të pyetjeve lidhur me një intervistë për gazetarë të huaj, e pretenduar se ka ndodhur më 15 prill 1998 në zyre të gazetës “Zëri i Kosovës” në Zvicër.

Fillimisht Mahmuti tha se kjo datë vë në dyshim vërtetësinë e saj pasi që në atë periudhë nga 11-15 prilli ka qenë në Paris si dhe tha se asnjëherë nuk ka bërë asnjë intervistë me gazetarë të huaj në selinë e kësaj gazete.

‘‘Pa e dit përmbajtjen, ju garantoj asgjë s’ka të vërtetë sa më përket mu’’, shtoi ai.

Kur prokurori De Minicis lexoi një pjesë ku thuhet se dëshmitari ka thënë se UÇK-ja ka vrarë vetëm anëtarë të shërbimeve sekrete represive, zyrtarë të veshur me dhe pa uniforma, ai tha se ky ka qenë deklarim i bërë në takimin me Gelbard.

Ai sqaroi kishte thënë se cak i sulmeve të UÇK-së kishin qenë pjesëtarë të aparateve represive dhe se UÇK-ja nuk ka pasur cak vrasjen e civilëve por shkatërrimin e aparateve represive.

Pas këtyre deklarimeve, prokurori paraqiti edhe një komunikatë kur përmendet vrasja e Mustafë Kurtit si bashkëpunëtor i pushtuesit dhe pyeti dëshmitarin se a nuk konsiderohet civil vrasja e një nëpunësi të zyrës postare.

Mahmuti është përgjigjur duke shtruar pyetje: ‘‘Unë e përmbys pyetjen me pyetje, çfarë garancie keni që s’ka qenë pjesë e strukturave të aparateve represive ky njeri?’’.

Në vazhdim, dëshmitari ka thënë se nuk ka lexuar aktgjykimet dënuese të asnjë procesi gjyqësor që bazën e ka në 27 mijë faqet e shërbimit sekret serb që kanë dorëzuar autoriteteve të UNMIK-ut.

Ai tha se nuk ka lexuar mbi provat e Serbisë dhe se nuk lexon procese gjyqësore të sajuara.

Paraprakisht, dëshmitari ka thënë se ai ka qenë nënshkrues i njoftimeve nga takimet që ka mbajtur si përfaqësues politik por se tha se ‘‘asnjë komunikatë në emër të UÇK-së nuk e ka nënshkruar Bardhyl Mahmuti’’.

Ndërkaq lidhur me komunikatën numër 59 për të cilën dëshmitari përmes rrjetit social ‘Facebook’ kishte hedh akuzat e Gani Gecit, i cili kishte thënë se është Mahmuti hartues i kësaj komunikate, ai shtoi se komunikata ka qenë kërkesë e NATO-s dhe ShBA-së dhe se ai e ka diktuar te njerëzit që të publikohet nga Kosova” por se tha se nuk e ka shkruajtur ai,

Lidhur me postime nga ana e tij në këtë rrjet, prokurori e ka pyetur edhe për publikimin ku ka thënë se DhSK-ja dhe ZPS-ja nuk kanë asgjë të përbashkët me institucionet e drejtësisë dhe se ata janë ndërmarre politike kriminale që ka për qëllim të dëmtojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës.

Ai tha se kjo është një deklaratë e shkëputur dhe duhet të sqarohet në tërësi pasi që ka qenë pjesë e një shkrimi të publikuar në media.

Po ashtu, u pyet për një deklarim në një debat televiziv në ‘RTK Prime’ ku dëshmitari tha se deklaratat janë të sakta sepse çdo provë e marrë nga shërbimi sekret serb për të cilësuar UÇK-në si ndërmarrje e përbashkët kriminale ka qenë e papranueshme.

Tutje, edhe për deklarimin lidhur me dënimin e Nasim Haradinja. Hysni Gusati, Salih Mustafa që sipas tij kjo gjykatë është krijuar mbi bazën e sajesave politike dhe nuk është bërë për heqje të akuzave shpifëse por për uljen e Ushtrisë Çlirimtare në bankën e të akuzuarve, ai tha se s’duhet të krijohet një gjykatë për të thënë është fajtor apo s’është fajtor, por për të ndriçuar krime.

Ai shtoi se krime ka pasur por kjo duhet të ndriçohet duke marrë personat përgjegjës ndërkohë që tha se fakti që është duke dëshmuar tregon se ai ndan pikëpamjet e tij politike nga procesi gjyqësor.

Një kohë të shkurtë seanca ka kaluar në sesion privat për parashkrimin e disa pyetjeve nga ana e prokurorit.

Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të viktimave Simon Laws, dëshmitari tha se në majin e 1998-ës kishte qenë në Kukës por se sapo kishte mbërritur në një shtëpi, ishte telefonuar për të shkuar në Tiranë në mënyrë që të vazhdonte për në Zvicër dhe të takohet me diplomatë amerikanë.

Mahmuti kategorikisht mohoi të kenë qenë në njohuri të fabrikës së metalit në Kukës dhe se tha se nuk ka qenë asnjëherë aty.

Madje ai tha se nuk e ka ditur se UÇK-ja në prill-qershor 1999 të ketë pasur bazë në Kukës pasi që nuk është marrë me çështje që nuk i kanë takuar.

Lidhur me kalimin e kufirit Kosovë-Shqipëri jashtë pikave kufitare, ai tha se nuk di raste konkrete por se është e ditur se armatimi është kryer përmes atyre rrugëve.

I pyetur nëse po thotë se nuk ka viktima në këtë çështje gjyqësore, dëshmitari tha se viktima civile ka por se çështja qëndron se kush i ka vra.

Më tej ai tha se për personat në Kukës ka bindjen se janë sajesa të shërbimeve sekrete serbe dhe se po të dyshonte se Pjetër Shala është i përfshirë në ndonjë krim nuk do të vinte të dëshmonte, por sipas tij, ka ardhur të dëshmojë për sajesa të shërbimit sekret serb me dëshmi serbe.

Në këto rrethana, dëshmia e këtij dëshmitari ka përfunduar dhe gjykimi ndaj Pjetër Shalës pritet të vazhdojë më 2 tetor 2023.

Mbrojtja e Shalës: ZPS po peshkon për informacion për çështjen e Thaçit dhe të tjerëve

(Përditësuar, ora 14:00) – Avokati Jean-Louis Gilissen në seancën e së enjtes, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po peshkon për informacion për çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Këtë avokati Gilissen e ka thënë gjatë kohës sa prokurori i specializuar Filippo De Minicis. po bën kundër-pyetjet ndaj dëshmitarit Bardhyl Mahmuti, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Ai tha se pajtohet me Prokurorinë për të kuptuar pozitën e dëshmitarit por se pjesa tjetër është që të peshkohet për informacione apo të nxjerrin informacione për çështjen 06 (Thaçi dhe të tjerët):

Gilissen shtoi se është vendosur që të bëhet lidhja mes asaj që dëgjohet dhe çështjes së Pjetër Shalës dhe se ajo çfarë po bëhet në këtë seancë nuk ka fare lidhje sipas tij me çështjen e Shalës.

Ai sërish tha se këmbëngul në shprehjen ‘‘po peshkojnë informacion” duke shtuar se ishte afër që të largohet nga salla dhe se është mbushur kupa.

“Mjaftë, u mbush kupa, jemi profesionist këtu, nuk jemi kriminel”, reagoi avokati Gilissen.

Edhe avokati tjetër, Mohamed Hedi Aouini tha se nga kundër-pyetjet e prokurorit nuk po jepet dëshmi për çështjen e Shalës por se janë duke u bërë politika si ushtrim për të minuar kredibilitetin e dëshmitarit dhe për të nxjerrë dëshmi për çështjen 06 (Thaçi dhe të tjerët).

Sipas tij, prokuroria po tenton të nxjerrë politikën, strukturën dhe se kjo shkon përtej asaj që ka ndodhur në Kukës duke kërkuar nga trupi gjykues që të mbrohet integriteti i këtij procesi gjyqësor.

Këto reagime të avokatëve mbrojtës të Shalës erdhën pas prezantimit të një komunikate nga prokurori De Minicis, ku u tha se Shtabi i Përgjithshëm ka bërë publik emrat e gjashtë përfaqësuesve politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).

Prokurori pyeti dëshmitarin se a është shkruar e zeza mbi të bardhë se këto emërime i ka bërë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe se dëshmitari tha se ka dallim shumë të madh në mes asaj që kanë dashur të paraqesin veten para botës si një strukturë e organizuar dhe realitetit.

Pasi dëshmitari dëshiroi që të sqarojë pasi tha se nuk mund të jetë një përgjigje me po apo jo, prokurori e ka ndërprerë për të mos vazhduar më tej duke insistuar në të njëjtën pyetje por se më tej mbrojtja ka reaguar duke mos kuptuar lidhjen me çështjen e Shalës.

Pasi që pyetja është lejuar nga trupi gjykues, dëshmitari është përgjigjur se: ”Kemi pasur dëshirë të funksionojmë edhe më mirë se çdo shtet i NATO-s, realiteti nuk mund të përfshihet as në gjitha ngjyrat e ylberit e le më zi e bardh, realiteti në terren dhe ajo që kemi dashtë me pasqyrua janë shumë larg njëri tjetrit”.

Ai sqaroi se në funksion të bindjes së palëve diplomatike kanë vënë emrin e një organi, Shtabi i Përgjithshëm pasi, sipas tij, për të krijuar përshtypjen se janë strukturë e organizuar me një komandë.

Më tej Mahmuti tha se ai ka qenë vetëm përfaqësues politik i UÇK-së dhe jo zëdhënës duke shtuar se ka qenë vetëm një zëdhënës i UÇK-së dhe se ai është Jakup Krasniqi.

Ndërkaq, edhe kur u pyet nëse me komunitetin ndërkombëtar kishte biseduar lidhur me kapjen dhe lirimin e të burgosurve të luftës nga UÇK-ja, mbrojtja ka reaguar duke thënë se këto nuk kanë lidhje me fajësinë apo pafajësinë e Shalës dhe se kjo ka të bëjë me çështjen 06 (Thaçi dhe të tjerët).

Por me lejimin e pyetjes nga trupi gjykues, dëshmitari tha se i kujtohet të ketë folur për zënien robë të 6-7 ushtarëve në Shalë të Bajgorës dhe se ishte kontaktuar për këtë nga diplomatë amerikanë.

Po ashtu, ai tha se nuk ka diskutuar me diplomatë të shteteve perëndimore për ndalimin apo arrestimin e civilëve nga UÇK-ja. Sipas tij ‘‘për shkak të propagandës serbe janë shtruar edhe pyetje të kësaj natyre por përgjigje ka qenë kategorike se nuk ka të burgosur nga ana e UÇK-së’’.

Ai tha se mbështet qëndrimin se çdo gjë e dorëzuar nga komisionet e shërbimeve sekrete serbe në krye me gazetarin Mirollav Drejquv, sipas tij, janë sajesa që kanë qëllim të diskreditojnë luftën e UÇK-së.

Paraprakisht dëshmitari Mahmuti ka thënë se është e saktë që ai ka qenë anëtar Kryesie e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe përfaqësues politik i UÇK-së gjatë luftës.

Lidhur me gazetën “Zëri i Kosovës”, ai tha se ‘‘shpirtnisht ka qenë gazeta ime’’ duke shtuar se është identifikuar me shkrimet e asaj gazete por se dinamika e punës i ka pamundësuar t’ia lexojë gjitha shkrimet.

Lidhur me postin e përfaqësuesit politik, tha se mund të konsiderohet se emërim publik deklarata politike e gushtit të 1998-ës.

Ai po ashtu tha se në dy intervista që ka dhënë Xhavit Haliti, sipas tij, ka treguar se e ka autorizuar Mahmutin që të takohet në emër të UÇK-së me delegacionet amerikane.

Në fillim të kundër-pyetjeve ndaj tij, dëshmitari është pyetur për kontaktin me përfaqësuesit e mbrojtjes së Shalës ku sqaroi se kontakti i parë ka qenë përmes telefonit dhe se kontakti i vetëm fizik ka qenë vetëm një herë për kohë shumë të shkurtë.

Sipas tij, iu ka dhënë librat e tij dhe kanë biseduar lidhur me përmbajtjen e librave dhe se takimet tjera janë zhvilluar vetëm përmes telefonit.

Gjatë këtyre pyetjeve, mbrojtja ka pasur kundërshtime duke thënë se qëllimi i pyetjeve nuk ka relevancë apo nuk është me rëndësi se si punojnë ata apo edhe se sipas tyre prokuroria po tenton të hedh hije mbi etikën e punës që ata bëjnë.

Mirëpo, pyetjet janë lejuar nga trupi gjykues andaj dëshmitari ka vazhduar të përgjigjet duke thënë se lidhur me çështjen e Shalës ka qenë i njoftuar vetëm përmes mediave dhe se as atëherë dhe as tani nuk ka lexuar asnjë pjesë të dosjes së Shalës.

‘‘Për të njëjtën arsye sepse kur i lexoj gjitha shpifjet që bëhen në akuza të publikuara në media më shkakton nervoz të madh sepse e i që nuk janë të vërteta dhe për këtë arsye nuk kam dashtë të i hulumtoj më tepër’’, ka thënë Mahmuti.

Po ashtu, dëshmitari tha se nuk e ka takuar asnjëherë Pjetër Shalën, as para, as gjatë e as pas luftës.

Madje sqaroi se në vizitën e bërë në Hagë ku kishte vizituar të burgosur të tjerë në vitin 2021, nuk kishte bërë kërkesë për Pjetër Shalës pasi tha se të njëjtin nuk e ka njohur.

Gjithashtu, dëshmitari ka thënë se ka bërë një publikim në rrjetin ‘Facebook’ se do jetë pjesë e gjykimit të Shalës si dëshmitar me arsyetimin se ka qenë postim objektiv që të shmang përpjekjet e gazetarëve apo të kujtdo që ta kontaktojnë.

I njëjti tha se pas këtij njoftimi nuk ishte kontaktuar as nga mbrojtja e Shalës a as nga ndonjë tjetër.

Seanca po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit Mahmuti duke u përgjigjur në kundër-pyetjet e prokurorit De Minicis.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë