Ne gjithmonë shohim që klubet shesin lojtarët që duan të largohen dhe shpesh provojnë të mos i lejojnë të ikin si agjentë të lirë, por çështja e Eric Garcias ishte shumë interesante.
Të gjithë e dinin se spanjolli dëshironte rikthimin të Barcelona, sidomos pasi Manchester City nuk ishte duke e përdorur as në skuadrën e parë, përcjellë lajmi.net.
Problemi i vetëm ishin paratë, meqenëse Barcelona nuk dëshironte të shpenzonte shumë dhe City s’lejonte largimin për pak para.
Sidoqoftë, sipas Mundo Deportivo, “Qytetarët” kanë ndërruar mendje dhe kanë vendosur ta lejojnë të largohet këtë muaj për vetëm pesë milionë euro.
Garcia ka nënshkruar kontratë paraprake me Barcelonën që të transferohet në verë, mirëpo nëse katalunasit pranojnë ta paguajnë çmimin atëherë marrëveshja do ndodh brenda janarit.
Barcelona shihet qartë se ka nevojë për qendërmbrojtës, meqenëse ka probleme serioze me lëndimet e shpeshta të mbrojtësve kryesorë.