Maqedonia e Veriut ka dërguar një numër tankesh të vjetra si ndihmë për Ukrainën, por nuk saktësohet as numri e as modeli i tyre, përveç se “bëhet fjalë për tanke të gjeneratës së tretë; të viteve 1970 dhe 1980”, siç ka konfirmuar Ministria e Mbrojtjes në Shkup, duke lënë të kuptohet se ato janë tanke nga periudha Sovjetike.
Në rrjetet sociale ishin nxjerrë fotografi ku dukej transporti i tankeve, që shtyu më pas Ministrinë të konfirmojë njoftimin, duke thënë se Maqedonia e Veriut po i dërgon ato si nëdonacion për Ukrain. Ministria pohon se tanket janë pjesë e ‘bataljonit tankist’ të ushtrisë që është në plan të shuhet. “Kjo gjeneratë e tretë e tankeve, me zhvillimin e teknologjisë brenda disa vitesh do të jetë jashta konkurrencës dhe të papërshtatshme me kërkesat për furnizim nga platforma perëndimore”, thuhet në komunikatë.
🇲🇰⚡️North Macedonia will give us about 30 T-72A tanks, 8 of them are already in Ukraine. pic.twitter.com/rmXu6vMZ7A
— ТРУХА⚡️English (@TpyxaNews) July 29, 2022
Vendimi i Shkupit vjen si rezultat i kërkesës së Kievit drejtuar partnerëve perëndimorë dhe NATO-s për t’i ndihmuar me mjete ushtarake.
Ministria maqedonase e Mbrojtjes bën të ditur se disa herë i ka dhuruar mjete dhe pajisje ushtarake Ukrainës dhe se kjo është bërë në bashkërendim me aleatët (e NATO-s) dhe se “Maqedonia e Veriut si vend anëtar i Aleancës së NATO-s e respekton tërësinë tokësore, sovranitetin dhe të drejtën për vetëmbrojtje të Ukrainës dhe se e dënon fuqishëm agresionin rus ndaj këtij vendi”.