Loading…

Ekskluzive: Marrëveshja e plotë në pajtim me BE’në për murin në Veri

  • Nga

  • 26/12/2016 | 19:13

Ekskluzive: Marrëveshja e plotë në pajtim me BE’në për murin në Veri

Pranë urës në veri të Mitrovicës është ndërtuar një mur për të cilin liderët politik, duke përfshirë edhe negociatoren Edita Tahiri, po thonë se ai nuk do ekzistojë. Por, gazetametro.net, ka siguruar një dokument prej 4 pikave, ku thuhet se të gjitha palët janë pajtuar që në pjesën veriore pran urës të jetë një rrethrrotullim i cili për bazament do ta ketë murin aktual, por i cili do të zvogëlohet në 80 centimetra.


Në fillim të dhjetorit në pjesën veriore të Mitrovicës u shfaq një mur 2 metra e 30 centimetra i gjatë i cili ndanë pjesën veriore të qytetit të banuar me serbë, nga ajo jugore e banuar me shqiptarë. Kjo nxiti reagimin e opinionit publik dhe opozitës, e më pas edhe të institucioneve shtetërore, ku u zhvilluan takime në mes të përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, kryetarëve të dy Mitrovicave dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.

Gazeta Metro, ka siguruar një dokument, marrëveshje prej katër pikave, të datës 9 dhjetor, i dalë nga Zyra e Shefes për Politikë të Jashtme të BE-së, Frederica Mogherini, e arritur pas takimit në mes të palëve, ku flitet në detaje se si do të duket pjesa ku tani është i vendosur muri.

Marrëveshja në fjalë, nga Zyra e Mogherinit, gjegjësit nga Tomas Busch u është dërguar me e-mail, edhe ministres për Dialog, Edita Tahiri dhe Drejtorit të Zyrës Serbe për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Djuric.

Në këtë marrëveshje të arritur mes palës shqiptare dhe asaj serbe, në pajtim me BE’në, thuhet se muri do të jetë 80 centimetra, në pikën më të lartë të tij, dhe do të fillojë me lartësi prej 30 centimetrash, i adaptuar në atë formë, që të jetë shkallë – shkallë, ku do të mund të lëvizin këmbësorët.

“Do të jetë një shkallë 80 centimera e lartë nga toka që lidh unazën me rrugën për këmbësorë. Kjo duhet të akomodojë shqetësimet e sigurisë, duke siguruar lirinë e lëvizjes”, thuhet në marrëveshjen e re pas daljes së murit në skenë.

Muri që tani është në lartësi 2.30 metra, do të duhet të zvogëlohet në 80 centimetra, duke ngritur nivelin e rrugës rreth murit për 80 centimetra, dhe duke e shkurtuar (prerë) lartësinë e murit për 70 centimetra.

“Muri është aktualisht është 2.30 metra i lartë në drejtim të urës. Pasi rrethrrotullimi në frontin e shkallëve është përfunduar, niveli i rrugë do të jetë 80 centrimenta më i lartë se tani. Lartësia më pas e mbetur e murit 1.50 metra do të duhet të reduktohet në lartësi prej 70 centimetras, dhe ndërtimi i shkallëve duhet të jetë 80 cm në krye nga niveli i tokës, në pikën e tyre më të lartë”, thuhet në fund të pikës 1 të kësaj marrëveshje të siguruar nga gazetametro.net.

Projekti i murit te Mitrovices

Projekti se si do të duket pjesa te muri

Tutje, pika 2 e kësaj marrëveshje flet për detajet se ku do të fillojnë shkallët që do të jenë pjesë e murit për t’u ngjitur te rrethrrotullimi në pjesën veriore të urës, i cili do të bllokojë kalimin e veturave nga pjesa jugore e Mitrovicës për në pjesën veriore, dhe do të mundësojë lëvizje të lirë vetëm të këmbësorëve.

“Përsa i përket vendodhjes së shkallëve, fillimi i shkallëve do të jetë në vendin ku qëndron muri tani, që do të thotë se muri aktual ka nevojë të reduktohet në përputhje me rrrethanat (3o cm për t’u bërë hapi i parë i shkallëve). Kjo është për t’u siguruar se palni për urë/rrethrrotullimi  siç është rënë dakord në Bruksel është ruajtur plotësisht. Rrethrrotullimi do të ndërtohet siç është rënë dakord në Bruksel. Kjo nga ana tjetër do të thotë se një reduktim i gjerësisë së rrugës rreth rrethrrotullimit nga 8 metra në 6,5 metra nuk do të ndodhë”, thuhet në pikën 2 të kësaj marrëveshje.

Ndërsa, pika 3 e marrëveshjes që palëve i është dërguar nga Zyra e Shefes për Politikë të Jashtme të BE’së, thuhet se “Prishtina do të lëshojë lejet përkatëse të ndërtimit dhe vendime të tjera që mund të kërkohen për të trajtuar projektin e vendit të këmbësorëve në rrugën Mbreti Petar, në të njëjtën mënyrë si të projektit për urë, brenda një kohe të shkurtër dhe në mënyrë jo-burokratike”.

Dhe fare në fund, në pikën 4 thuhet se “Puna në dy projektet, në përputhje të plotë me konkluzionet e mësipërme, do të rifillojë nesër në mëngjes për t’u siguruar se afati i caktuar më 20 janar është plotësuar”.

Siç thuhet edhe në këtë marrëveshje, 20 janari është data kur do të duhej të përfundonte projekti për rivitalizimit të dy anëve të urës së Mitrovicës.

Në bazë të kësaj marrëveshje, e edhe në bazë të deklaratave të vet ministres për Dialog, Edita Tahiri, rruga kryesore pranë urës në pjesën veriore të Mitrovicës, nuk do të mund të shfrytëzohet për kalim të automjeteve, por vetëm nga këmbësorët. Ky pengim i lëvizjes së automjeteve do të bëhet nga një rrethrrotullim, i cili do të ndërtohet në pjesën ku tani është i vendosur muri. Ky rrethrrotullim pikën më të lartë do ta ketë 80 centimetra në pjesënn përballë urës, dhe më të ultën 30 centimetra. Pra muri aktual do të ngelet aty si pjesë e rrethrrotullimit, që nga toka do të fillojë shkallë shkallë, për ta bërë të mundur kalimin e këmbësorëve në rrethrrotullim përmes tij. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë