Loading…

Marrëveshja Kosovë – Serbi pa njohje: Mundësi apo rrezik?

  • 07/06/2021 | 15:46

Marrëveshja Kosovë – Serbi pa njohje: Mundësi apo rrezik?

Zëvendës Ndihmës Sekretari i shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Matthew Palmer ka qëndruar këto ditë për vizitë zyrtare në Kosovë dhe në Serbi me ç’rast është deklaruar rreth dialogut Kosovë – Serbi dhe mundësive të marrëveshjes finale midis dy vendeve, duke shfaqur vizionin e SHBA’ve për njohje reciproke, por duke mos mohuar mundësinë e një marrëveshje pa njohje nëse Serbia dhe Kosova pajtohen, shkruan Gazeta Metro.


“Ne besojmë se vetëm njohja e ndërsjellë i jep fund kësaj çështjeje. Ne kemi një vizion për të ardhmen. Ne medojmë që Serbia dhe Kosova duhet të integrohen plotësisht në familjen evropiane, të jenë anëtare të Bashkimit Evropian. Si mund të jenë dy vende anëtare të BE-së nëse nuk njohin njëra-tjetrën? Kjo hap plotësisht rrugën evropiane për të dy palët. Kjo është arsyeja pse ne, si Shtete të Bashkuara, e shohim njohjen e plotë të ndërsjellë si mënyrën më të mirë për t’u arritur integrimi. Në kushte ideale, ne besojmë se kjo njohje e ndërsjellë duhet të jetë në qendër të marrëveshjes së ardhshme për normalizim”, deklaroi Palmer.

Por sa është e mundur dhe cilat do të ishin konsekuencat e një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë por që në fund nuk rezulton me njohje reciproke?

Analisti Shkodran Ramadani për Gazeta Metro ka thënë se fjalët e Palmer janë vazhdimësi e qëndrimit të SHBA’ve për të mos imponuar natyrën e përmbajtjes së marrëveshjes me Serbinë.

“Fillimisht në një mënyrë është vazhdimësi e qëndrimit të SHBA’ve që disa vite e qëndrim i cili thotë se SHBA’ja nuk do të imponojë natyrën e përmbajtjes së marrëveshjes me Serbinë dhe ka thënë vazhdimisht që kjo është përgjegjësi e palëve të përfshira në konflikt dhe derisa ato e shohin të arsyeshme një marrëveshje atëherë nuk shohin arsye të fortë për ta penguar.”, tha Ramadani.

Më tutje ai tha se kjo tregon që SHBA’të kanë vetëm rol komplementar dhe jo udhëheqës në dialog dhe me këtë duhet thënë se për SHBA’të dhe Palmerin nuk është problem nëse Bashkimi Evrpoian, Kosova dhe Serbia pajtohen që të ndodh marrëveshja pa njohje reciproke.

“E dyta kjo tregon për rolin komplementar të SHBA’së në raport me BE’në e jo si udhëheqëse e dialogut por me këtë duhet thënë se duke parë mundësinë që Bashkimi Evropian nuk po kërkon marrëveshje që përfshinë njohjen midis Kosovës dhe Serbisë, dhe gjithashtu gatishmërinë e z.Kurti për ta pranuar dialogun e BE’së, pra një platformë që nuk insiston një njohje, pra për Palmerin kjo nuk është problem nëse BE, Serbia e Kosova pajtohen që një gjë e tillë të ndodh.”, tha Ramadani.

Gjithashtu, Ramadani thotë se një marrëveshje e tillë s’mund të jetë as përfundimtare e as efektive dhe nuk dihet cili do të jetë çmimi i saj.

“E treta, një marrëveshje e tillë nuk është përfundimtare e as efektive, do të ishte ndoshta ndonjë marrëveshje për një periudhë por as kjo nuk është e sigurtë sepse nuk dihet çfarë çmimi. Nëse Serbia nuk jep njohje, atëherë çka do të jepë Kosova. Shembull nëse Kosova jep autonomi serbëve, autonomi territoriale, kompetenca të zgjeruara politike, atëherë kjo vetëm e riprodhon konfliktin sidomos në mungesë të njohjes nga Serbia.”, shtoi ai.

Krejt në fund, Ramadani tha se modeli i dy Gjermanive si mundësi për zgjidhjen e problemit Kosovë – Serbi është negativ për Kosovën, ndërsa thotë se nuk është mirë për Kosovën që dialogu të përfundojë pa njohje sepse nuk do të ishte përfundim dhe tensioni do të riprodhohej përsëri në të ardhmen.

“Modeli i dy Gjermanive është negativ për Kosovën sepse këtu nuk kemi të bëjmë me një popull të ndarë në dy shtete, siç ka qenë rasti i dy Gjermanive, nëse është ashtu atëherë cila është Gjermania Perëndimore e cila Gjermania Lindore sepse në fund Gjermania Lindorë është aneksuar nga Gjermania Perëndimore. Normalisht që nuk është mirë për Kosovën që të përfundojë pa njohje këtë dialog, sepse dialogu pa njohje nuk është fare përfundim, marrëveshja që nuk përfshin njohje është vetëm garancë që kontestet e ndryshme qoftë mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë brenda shtetit të Kosovës përmes fragmentimit të shtetit nëpërmjet një asociacioni, autonomie të serbëve do të jenë dy qendra ku do të riprodhohet shumë tensioni i ardhshëm politik.”, tha Ramadani.

E njohësi i integrimeve evropiane dhe profesori Avni Mazrreku është shprehur se deklarata e Palmerit nuk është përkrahje e një marrëveshje të tillë, por e tillë që e bart barrën e përmbajtjes së marrëveshjeve tek palët, pasi pozicioni i SHBA’ve për dialogun është i qartë se duhet të përfundojë me njohje reciproke.

Sipas Mazrrekut, mbetet tek palët për të gjetur mundësitë e përfundimit të dialogut, pasi nuk ka presion të çfarëdoshëm nga jashtë.

“E para është se unë deklaratën e Palmerit e kam dëgjuar dhe nuk e kam kuptuar sikur po thotë që ne po e përkrahim një marrëveshje pa njohje, por ai thotë se nëse palët bien dakord, normalisht që pozicioni i SHBA’ve është i qartë se nuk do të imponojnë një zgjidhje, qëndrimi është i qartë është se ata e përkrahin një marrëveshje që konsiston me njohje reciproke, por nëse palët pajtohen atëherë ajo do të jetë në rregull. Por unë mendoj që një marrëveshje për normalizim gjithëpërfshirës nuk mund të përfundojë pa njohje reciproke, por kjo mbetet në diskrecionin e palëve pasi nuk ka presion të çfarëdoshëm nga jashtë që një çështje të jetë ose jo ne tavolinë, pra pozicioni i palëve është i qartë nëse e prakrahin këtë marrëveshje.”, tha Mazrreku.

I pyetur nëse kjo do ta pengonte Kosovën në artikulimin e subjektivitetit të saj në arenën ndërkombëtare, Mazrreku thotë se kjo nuk do të ishtë një problem nëse Kosovës i garantohet njohja e pesë vendeve anëtare të BE’së që ende s’e njohin dhe nëse do t’i garantohej anëtarësimi në OKB.

“Serbia duke mos qenë anëtarë e përhershme e Këshillit të Sigurimit që kanë të drejtën e VETO’s, duke mos qenë anëtare e Bashkimit Evropian, rrjedhimisht Serbia si shtet nuk mundet me e pengu anëtarësimin e Kosovës në këto organizata me rëndësi, do të thotë në Bashkimin Evropian dhe në OKB. Tani po flasim në një situatë hipotetike, nëse Kosovës do t’i ofrohej njohja nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin Kosovën dhe nëse do t’i garantohej anëtarësimi në OKB atëherë Kosova nuk do të kishte nevojë për njohjen nga Serbia sepse Serbia nuk do të mund ta pengonte Kosovën për t’u anëtarësuar në këto organizata.”, tha Mazrreku.

Një takim midis Kosovës dhe Serbisë do të mbahet në qershor në Bruksel ku edhe do të rinisë dialogu midis dy vendeve. Gjatë vizitës në Kosovë, edhe Palmer por edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE’së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak kanë deklaruar se ka klimë të mirë që të avancohet përpara me dialogun.

Ndonëse shpesh është përmendur, nuk dihet ende nëse synohet të arrihet një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë gjatë këtij viti, por vizita e dy diplomatëve të kalibrit të tillë në Kosovë e Serbi është tregues i qartë i intensifikimit të përpjekjeve ndërkombëtare për finalizimin e dialogut tashmë më shumë se 10 vjeçar midis Kosovës dhe Serbisë. /gazetametro.net 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë