Loading…

Masat e reja, Rukiqi: Bizneset do të punojnë për mbijetesë

  • 11/11/2020 | 15:44

Masat e reja, Rukiqi: Bizneset do të punojnë për mbijetesë

Masat e reja antiCOVID-19 që do të hyjnë në fuqi të premten, kanë gjetur mirëkuptim nga ana e komunitetit të biznesit, pasi që ato nuk nënkuptojnë mbyllje totale të vendit si pasojë e rritjes së numrit të rasteve të reja me koronavirus, ka thënë sot kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.


Ai këto komente i bëri në një konferencë për media, pak kohë pasi kryeministri Avdullah Hoti prezantoi masat e reja antiCOVID-19, e me të cilën kufizohet puna e bizneseve dhe lëvizja e lirë e qytetarëve varësisht prej zonës së komunave të prekura nga pandemia koronavirus.

“Jemi solidarizuar me gjendjen jo të lehtë të bizneseve dhe gjendje të vështirë të mijëra qytetarëve të cilët preken nga pandemia. Kjo na ka shtyrë që të jemi insistues për të gjetur një mes për të ulur numrin e të prekurve, por në të njëjtën kohë një aktivitet ekonomik normal. Kemi bërë përpjekjet tona për të gjetur një mirëkuptim rreth masave që do të merren në vikend. Ky propozim gjeti mirëkuptim për të mos pasur mbyllje totale. Ekonomia në masë të madhe do të mbetet e hapur dhe do të punojnë për të siguruar mbijetesë. Ky ishte ai mesi që kemi arrit sot në një takim me kryeministrin dhe kabinetin e tij”, tha Rukiqi.

Rukiqi theksoi se bizneset dhe qytetarët tash e tutje duhet të tregojnë kujdes të shtuar, pasi çdo shkelje e masave nënkupton edhe dënimin e bizneseve deri në tre muaj mbyllje totale.

Masa më të ashpra janë vendosur për komunat që janë në ‘zonën e kuqe’ si Prishtinë, Podujevë, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, ku aktiviteti ekonomik është lejuar të zhvillohet nga ora 05:00-19:00, ku pas kësaj ore do të mbyllet çdo aktivitet dhe do të ketë kufizim të lëvizjes së qytetarëve.

Grupi i parë janë komunat me rrezik më të ulët ose ‘ngjyrë të gjelbër’ ku numri i të infektuarve për 100 mijë banorë është deri në 75 brenda një jave. Në grupin e dytë janë komunat ‘me ngjyrë të portokalltë’ ku numri i rasteve të reja brenda një jave shkon nga 76-150, ndërsa grupi i tretë ‘me ngjyrë të kuqe’ ku numri i rasteve të reja kalon numrin 150.

Ai tha se të gjitha këto masa do të hyjnë në fuqi nga dita e premte në orën 19:00, kur edhe fillon mbyllja e komunave që janë në të ashtuquajturën ‘zonë e kuqe’.

Në komunat që bëjnë pjesë në grupin e parë apo në ‘zonën e gjelbër’, operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 05:00-20:00, ndërsa në komunat në ‘zonën e portokalltë’ nga ora 05:00-18:00.

Ndërsa në të gjitha pikat kufitare do të kthehen ekipet mjekësore, arsimi i lartë do të kalojë plotësisht në platformën online, ndërsa për arsimin para universitar do të vlejnë manualet e zhvilluara nga Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK dhe MASH.

Qeveria ka paralajmëruar se të gjitha bizneset që nuk i respektojnë masat e ndërmarra, do të mbyllen së paku për tre muaj.

Ndryshe, vetëm në 24 orët e fundit në nivel vendi janë regjistruar katër viktima dhe 733 raste të reja me koronavirus.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]azetametro.net
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë