Organizimi i një proteste të nxënësve të shkollave në komunën e Prishtinës, të cilët po kërkojnë drejtësi për vrasjen e Astrit Deharit, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, e ka shtyrë të reagojë Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Në një komunikatë për media MAShT thotë se nuk është mirë që nxënësit të instrumentalizohen për hesape politike.
“Në shtetin tonë demokratik e drejta e protestës dhe reagimit qytetar është e garantuar dhe secili mund t’i manifestojë shqetësimet dhe kërkesat e veta, por në një shoqëri dhe rend demokratik, subjektet politike duhet ta bëjnë diferencën dhe të mos i instrumentalizojnë nxënësit për hesape politike”, thuhet në komunikatën e MAShT-it.
Kjo minsitri kujton se shkollat janë institucione të dijes dhe të edukimit dhe askush nuk ka të drejtë ligjore të abuzojë me nxënës.
“Përfshirja e nxënësve në aktivitete të tilla cenon të drejtat e fëmijëve dhe përbën shkelje të parimeve të Ligjit për Arsimin Parauniversitar të Republikës së Kosovës dhe të konventave ndërkombëtare. MAShT fton të gjithë nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe drejtorët e shkollave që t’i përkushtohen punës dhe misionit për mësim cilësor dhe vlera humane”, thuhet tutje në komunikatë.
Ndërsa, fton Vetëvendosjen që të reflektojë në interes të nxënësve dhe të mos ushtrojë presion tek ta por, agjendat politike t’i adresojë dhe manifestojë në formë demokratike e institucionale./gazetametro.net