Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për më pak se dy muaj, do të marrë vendimin për fazën e fundit të procesit zgjedhor, ku i gjithë materiali i ndjeshëm zgjedhor do të shkatërrohet, shkruan Gazeta Metro.
Nga ky asgjësim, ruhet vetëm materiali zgjedhor i cili mund të jetë objekt hetimi për Prokurorinë e Shtetit dhe një pjesë, e cila ruhet për trajnimin sa i përket procesit zgjedhor të ardhshëm.
Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi ka potencuar për Gazetën Metro se materiali i cili ruhet për trajnim për procesin e ardhshëm zgjedhor, është i natyrave të ndryshme si materiale të vlefshme apo të pavlefshme, të cilat ndihmojnë si shembuj gjatë seancave të trajnimit.
‘KQZ-ja e ruan materialin e ndjeshëm zgjedhor të ndonjë vendvotimi i cili mund të jetë objekt i hetimeve të Prokurorisë së Shtetit. Ky material ruhet deri në përfundimin e të gjitha procedurave. Sigurisht se pasi të përfundojnë të gjitha procedurat, në të gjitha institucionet përkatëse, ky material asgjësohet. Nga asgjësimi ruhet edhe një pjesë e materialit zgjedhor i cili mund të shërbejë për qëllimin e trajnimit të trupave zgjedhore në procesin e ardhshëm zgjedhor. Fjala vjen mund të ruhen fletëvotime të natyrave të ndryshme, të vlefshme apo të pavlefshme, për të shërbyer si shembuj gjatë seancave të trajnimit’, ka thënë Elezi.
Duke u mbështetur në vendimet për asgjësimin e materialeve të ndjeshme zgjedhore nga proceset e kaluara zgjedhore, materiali zgjedhor i cili do të shkatërrohet është si vijon:
Fletëvotime të vlefshme, të pavlefshme, të zbrazëta, të dëmtuara.
Kopja dhe origjinali i Formularit të Përputhjes të dhënave dhe Rezultateve (FPR),
Lista e Gjerë e votuesve të komunave
Lista Përfundimtare e Votuesve (LPV) dhe Lista e Votuesve me Kusht (LVK),
Librat e Votimit (Ditarët),
Fletëvotimet e Papërdorura,
Fletëvotimet me Kusht;,
Vula zyrtare e Fletëvotimit, vulat tjera si vula zyrtare e fletëvotimit pjesa e gomës.
Kujtojmë se pas certifikimit të rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje si fituese e këtyre zgjedhjeve ka arritur të fitojë 221,001 vota (26,270%), Lidhja Demokratike e dyta me 206,516 vota (24,548%), Partia Demokratike e Kosovës zuri vendin e tretë me 178,637 vota (21,234%, koalicioni AAK-PSD 96,872 vota (11,515%). Ndërsa, koalicioni NISMA-
AKR-PD ka arritur të kalojë pragun duke fituar 42,083 vota (5,002%). /gazetametro.net