Loading…

Mbështetësi i Milloshevicit fitoi çmimin Nobel: Nesër protestohet në Prishtinë

  • 13/10/2019 | 09:47

Mbështetësi i Milloshevicit fitoi çmimin Nobel: Nesër protestohet në Prishtinë

Akademia Suedeze e Shkencave ka shpërblyer sivjet me çmimin Nobel për Letërsi, autorin austriak Peter Handke, një mbështetës i gjenocidit dhe luftërave në ish-Jugosllavi nën regjimin e Sllobodan Milloshevicit, transmeton Gazeta Metro.


Ndarja e Nobelit për Handke u cilësia vendim skandaloz nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës por edhe nga njohës të letërsisë botërore.

Madje, në Prishtinë të hënë pritet të mbahet protestë para Ambasadës së Suedisë, duke kërkuar anulimin e Nobelit për Letërsi 2019.

Për profesorin Bardh Rugova, ndarja e Nobelit për Letërsi 2019, për shkrimtari austriak Peter Handke, është zgjedhje e gabuar dhe shumë e dëmshme.

Sipas tij, e njëjta vë në pikëpyetje rolin e artit për njerëzimin.

“Ekziston edhe ana tjetër e problemit, që është ana njerëzore, humane e këtij shkrimtari, një mbështetës i gjenocidit dhe luftërave në ish-Jugosllavi, nuk besoj se do të mund të kualifikohej për të marrë çmim dhe për t’u bërë shembull për diçka. Kjo vë në dilemë arsyen pse japin çmime, çka dëshirojmë si komunitet njerëzor të arrijmë përmes këtyre çmimeve. Dhe në këtë kuadër, e quaj, për hesapin tim një zgjedhje shumë të gabuar dhe të dëmshme e cila mbi të gjitha vë në pikëpyetje rolin e artit për njerëzimin”, thotë ai.

Rugova thotë të ketë lexuar një libër nga Peter Handke, dhe sipas tij, nuk ishte ndonjë vlerë e tillë sa të meritonte një çmim të këtij niveli.

Ai thotë se ka pasur edhe raste të tjera kur Nobeli i është ndarë personave që nuk kanë pasur ndonjë vlerë, mirëpo, ai thekson që këtë e vendosë juria dhe është përgjegjësi e tyre.

Ndërsa regjisori Ben Apolloni, i ka thënë KosovaPress’it, se të hënën nga ora 11:00, do të organizohet protestë para ambasadës suedeze në Prishtinë, për të kërkuar anulimin e Nobelit për Letërsi 2019.

Anulimin e vendimit të Akademisë Suedeze e ka kërkuar edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si “akt mirëkuptimi e solidariteti me të gjithë popujt e botës që luftojnë për liri dhe vlera demokratike”.

Për ndarjen e Nobelit për Letërsi 2019, ka reaguar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas të cilit, vendimi i Nobel ka sjell dhimbje të pamasë te viktimat e panumërta.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka reaguar duke thënë se Komiteti i Nobel’it i ka dhënë çmimin njeriut të gabuar.

Jo vetëm institucionet e Kosovës, por edhe profesorë botërorë nuk janë pajtuar me këtë vendim.

Profesoresha në universitetin e Nju Jork’ut, Ana Di Lellia, ka thënë se ishte i akuzuar për mbrojtjen e Millosheviçit.

Ajo ka shkruar se në funeralin e presidentit serb Handke kishte thënë “Unë nuk e di të vërtetën. Por unë shoh. Unë dëgjoj. Unë ndiej. Më kujtohet. Kjo është arsyeja pse unë jam këtu sot, afër Jugosllavisë, afër Serbisë, afër Sllobodan Millosheviç”.

Por reagimet nuk mbarojnë me kaq, sepse ka pasur me qindra twitt’ë që janë bërë nga shkrimtar e gazetar nga e gjithë bota./gazetametro.net

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë