Loading…
Mbi 1 miliardë euro u shpenzuan për futbollistë: A do të tejkalohet sivjet kjo shumë marramendëse
  • 08/01/2019 | 10:04

Mbi 1 miliardë euro u shpenzuan për futbollistë: A do të tejkalohet sivjet kjo shumë marramendëse

Coutinho u bë njëri prej lojtarëve me çmimin më të shtrenjtë në histori të futbollit. Ndërsa dritarja e transfereve të dimrit, edicionin e kaluar, theu çdo rekord derisa klubet në pesë ligat më të forta në Evropë shpenzuan më shumë se 1 miliardë euro. A do të thehet ky rekord sivjet?


Shkruan: Skyfter Blakaj

Sot janë bërë saktësisht një vit prej se braziliani Coutinho u bë njëri prej lojtarëve me çmimin më të shtrenjtë në histori të futbollit kur u transferua nga Liverpooli te Barcelona.

I gjykuar të jetë një prej futbollistëve më të talentuar në botë, braziliani 26 vjeçar e kompletoi transferin e tij prej 117 milionë eurove për të ju bashkuar sulmit më potent në botë Suarez – Messi.

Forma e jashtëzakonshme nëpër të cilën ishte duke kaluar Coutinho lënte përshtypjen se Barcelona do të përfitojë shumë nga ardhja e tij dhe përfundimisht do të mbulohej boshllëku i krijuar pas largimit të një tjetër braziliani me çmim enorm, Neymar.

Por siç e dijnë më së miri futbollistët, një vit në futboll është shumë i gjatë.

Ylli i Selecaos dhe Liverpoolit, Coutinho, prej shpresës së madhe për ekipin katalunas, është shëndrruar në një tjetër reservist tash kur Ousmane Dembele po cilësohet të jetë zgjedhje më e mirë nga trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde.

Edhe pse ende është herët për tu gjykuar puna e tij te Barcelona një gjë që nuk i ik mendjeve të mprehta të strategëve të futbollit evropian është rrezikshnëria e lartë që paraqet investimi në afatin kalimtar të janarit.

Qysh prej zyrtarizimit dhe harmonizimit të afatit kalimtar në edicionin 2002/03, afati e transfereve në janar ka qenë opcion të cilin klubet e mëdha janë munduar ta evitojnë.

Zakonisht transferet në mes të sezonës llogaritën si rrezikim për shkak se lojtarët nuk kanë hapësirë për periudhë të adaptimit brenda klubit të ri.

Dhe kjo bindje është më se e vërtetuar.

Vetëm duhet ta kujtojme transferin e njërit prej sulmuesve më të mirë të këtij shekulli, spanjollit Fernando Torres prej Liverpoolit te Chelsea për hiq më pak se 73 milion euro.

1 gol në 18 paraqitje për të kaltërit e Londrës ishte bilansi i El Ninos në sezonin e tij debutues.

Gjërat nuk u përmirësuan për të as në sezonin e dytë dhe si pasojë ai u huazua te Milani në gusht të 2014ës.

Një tjetër dështim total i afatit kalimtar të janarit është sulmuesi shtatlartë anglez Andy Caroll  Përsëri ishte Liverpool skuadra e përfshirë, këtë herë duke i paguar 51 milion euro skuadrës Newcastle UTD.

44 paraqitje dhe 6 gola brenda tri sezoneve e bëjnë sulmuesin nga qyteza Gateshead njërin prej dështimeve më të mëdha të afatit dimëror të transfereve.

Asesi nuk duhet të harrojmë të përmendim që disa prej transfereve të janarit kanë pasur sukses edhe më të madh sesa ato të verës.

Shuma prej 33 milionë eurove që Liverpooli ia paguajti Ajaxit për shërbimet e uruguajanit Luis Suarez duket si një prej marrëveshjeve më të mira në histori të futbollit.

Suarez i kaloi 4 sezone në Angli, pati 133 paraqitje dhe shënoi 82 gola, duke u zgjedhur futbollisti i vitit në Premierligë në edicionin e fundit me skuadrën nga ishulli para se të transferohej te Barcelona.

Interi e theu rekordin e transfereve në vitin 2000 kur e transferoi Christian Vierin nga Lazio për plot 50 milionë euro.

“Bobo” definitivisht e justifikoi çmimin marramendës duke shënuar 104 gola në 143 paraqitje në Serie A.

Pa e llogaritur farë suksesin apo dështimin e lojtarëve të transferuar në këtë periudhë, afati kalimtar i dimrit mbetet opcion të cilin ekipet e mëdha do ta evitojnë, përveq në rast nevoje.

Dhe tash kur jemi në start të kësaj periudhe që shumë shpesh di të jetë e çmendur, tifozët e futbollit gjithsesi duhet të jenë të gatshëm për blerje paniku dhe marrëveshjë të minutës së fundit  derisa trajnerët që janë nën presion do të mundohen ta gjejnë transferin e duhur për ta shpëtuar punën e tyre.

Dritarja e transfereve të dimrit edicionin e kaluar theu cdo rekord derisa klubet në pesë ligat më të forta në Evropë shpenzuan më shumë se 1 miliardë euro, po e përsëris edhe një herë që të mos keqkuptohemi, 1 miliardë euro.

Se cilat do të jenë shifrat e këtij afati kalimtar mbetet të shihet kur marrim parasysh nevojën e disa klubeve të mëdha të Evropës për përforcime. Shumë lehtë mund të ndodh që rekordi i edicionit 2017/18 të tejkalohet.

(Shkrimi është shkruar enkas për Gazetën Metro. Autori është gazetar dhe komentator i njohur i futbollit për Transmetuesin Publik të Kosovës, RTK)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë