Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për trafikun, është thënë se synohet të rritet siguria. Në fakt, sot Policia tregoi se siguria në rrugë po rritet, pasi janë ulur aksidentet me fatalitet, shkruan Gazeta Metro.
Por, me rritjen e sigurisë, po rritet edhe numri i dënimeve që po i shqipton Policia e Kosovës. Nga shifrat që ka siguruar Gazeta Metro, vetëm në tre muajt e fundit janë shqiptuar 77 mijë e 96 dënime.
Siç njofton Policia, që nga shtatori deri në nëntor, numri i dënimeve ka shkuar duke u rritur. Në shtator, Policia ka shqiptuar 23 mijë e 220 dënime. Ndërkaq, për muajin tetor kjo shifër është rritur në 26 mijë e 378. Po ashtu, rritja ka vazhduar edhe në muajin nëntor, ku brenda këtij muaji janë shqiptuar hiç më pask se 27 mijë e 498 dënime.
Madje, sipas Policisë, shifrat e këtyre tre muajve, janë më të larta edhe se muajt e njejtë të vitit ta kaluar. Ndërkohë që këtë vit u shqiptuan mbi 27 mijë dënime, për periudhën e njejtë të vitit 2015, Policia kishte shqiptuar 24 mijë e 256 dënime.
Ndryshe, Policia ka konfirmuar se ligji i ri po tregohet efektiv, pasi ka ulje të aksidenteve në tërësi, madje edhe të atyre me fatalitet.
“Nga analizat tona ligji i ri, ka pasur ndikim pozitiv në situatën e përgjithshme sa i përket sigurisë ne komunikacionin rrugor”, kanë thënë më herët Policia, për Gazetën Metro.