Loading…

Mbi revizionizimin e historisë në Kosovë

  • Nga

  • JETLIR ZYBERAJ

  • 14/02/2022 | 12:38

Mbi revizionizimin e historisë në Kosovë

Ditët e fundit është zhvilluar një debat për figurën e Xhafer Devës, politikanin dhe patriotin shqiptar të kohës së pushtimit nazist gjerman në Kosovë dhe Shqipëri, i cili, për një periudhë, ka qenë ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës. Debati erdhi nga projekti për renovimin e shtëpisë në të cilën ai kishte jetuar, objekt me vlera të veçanta arkitektonike dhe historike për qytetin e Mitrovicës por edhe për Kosovën. Debati u ndikua shumë nga narrativa historike e imponuar nga Jugosllavia komuniste dhe regjimi komunist i Enver Hoxhës.


Shkruan: Jetlir Zyberaj

Nëse nisemi prejt tyre, atëherë, këtu zë fill e keqja e fillimit të debatit.

Reagimi im ka të bëjë me disa çështje që duhet thënë, por pa folur  për Xhafer Devën, sepse kjo u përket historianëve dhe jo politikanëve.

Me këtë rast, unë dua të ndalem te disa çështje që po ndikojnë në mënyrën se si flasim për historinë dhe se si, ende vuajmë nga një varësi nga narrativa historike që është imponuar nga Beogradi. Besoj më shumë se kaq, ambasadori gjerman, Jörn Rohde, nuk duhej të ishtë pjesë e një debati që e ka origjinen në Beograd dhe filloi nga propaganda zyrtare serbe për të sulmuar Kosovën dhe historinë e saj. Nuk u takon diplomatëve dhe politikanëve të marrin anën e një narrative historike që nuk bazohet në fakte, por është e ndikuar ideologjikisht.

Unë jam përkrahës i fuqishëm i idesë që shtëpia e Xhafer Devës të rinovohet, sepse është pjesë e historisë së arkitekturës së Mitrovicës dhe si e tillë nuk ka të bëjë fare me politikën e kohës kur Gjermania naziste pushtoi Kosovën dhe Shqipërinë apo pronarin e saj si politikan. Si duket këtë ka pasur parasysh MKRS-ja kur ka vendosur për restaurimin e këtij objekti dhe sidomos ministri i Kulturës i Kosovës i cili reagoi pas hapjes së debatit për këtë çështje. Në reagimin e tij ministri i Kulturës ka pasur qëndrim shumë parimor dhe profesional për këtë çështje, për ç”gjë duhet  duartrokitur për guximin për t’u ngritur kundër falsifikimit dhe keqpërdorimit të historisë dhe politizimit të restaurimit të një projekti të trashëgimisë kulturore dhe arkitektonike për Kosovën dhe vetë Mitrovicën.

Historianët apo politikanët që janë të ndikuar nga rrymat komuniste në Beograd dhe Tiranë nuk duhet të flasin për Xhafer Deven. Ata që nuk u distancuan kurrë nga krimet e komunizmit në Kosovë, nga vendimet e gabuara që çuan në ri-pushtimin e Kosovës nga Serbia dhe vuajtjet e qindra mijëra familjeve shqiptare, qindra mijëra të shpërngulur me dhunë në Turqi, nuk duhet të flasin për të. 21 shkurti është përvjetori i vrasjes së Shaban Polluzhës, atdhetarit që u vra në mbrojtje të idealit kombëtar. Në librin “Fadil Hoxha në vetën e parë”, Hoxha kishte rrëfyer vrasjen e Shaban Polluzhës dhe shokëve të tij, më 21 shkurt 1945. Ai tha se kur u vra Shaban Polluzha, Drenica u qetësua!

Gjenerali amerikan Wesley Clarku ka rrëfyer takimin e tij me ish-presidentin serb Millosheviq në vjeshtën e vitit 1998. Nga ai takim, në një intervistë të para do muajve, gjenerali Clark, solli dëshminë e asaj që i kishte thënë Millosheviqi.

– Ne dimë si të sillemi me këta shqiptarë, këta vrasës, përdhunues, kriminelë si ata. . . – i kishte rhën ai. Millosheviqi pra.

– E kemi bërë më parë.

– E ke bërë ti? – e kishte pyetur Clarku.

– Po- i kishte thënë ai. Në vitin 1945.

– Si po? ”

– Ne i vramë. I vramë të gjithë.”

Historia e shkruar në Prishtinë, nën ndikimin jugosllav dhe në Tiranë nën ndikimin komunist, fsheh shumë fakte, denigron figura, fshin shumë të tjera nga historia dhe e bën historinë tonë të mangët. Edukimi i gjeneratave të reja larg këtyre rrymave që kanë qasje në burime të besueshme do ta riparojë këtë dëm që i është bërë Kosovës me dekada.

Xhafer Deva duhet gjykuar për periudhën që ka qenë aktiv dhe i përfshirë në politikë. Sigurisht ai dhe qeveria e tij ishin në bashkëpunim me nazizmin gjerman, i cili kishte shkaktuar vuajtjet më të tmerrshme në historinë e njerëzimit dhe ky bashkëpunim ka mbetur i njollosur në figurën e tij. Por duhet thënë që nga viti 1912 derisa italianët dhe gjermanët pushtuan Kosovën, serbët kryen spastrim etnik ndaj shqiptarëve dhe ardhja e trupave të huaja shihej si çlirim nga serbët për popullatën lokale. Por Xhafer Deva dhe Kosova dhe Shqipëria në atë kohë nuk ishin pjesëmarrës dhe nuk kishin asnjë rol në Holokaustin e kryer nga nazistët. Përpjekja për të përfshirë Kosovën në këtë rrëfim është e dëmshme dhe shkon kundër historisë dhe fakteve historike. Shqiptarët janë ndër kombet që kanë kontribuar më së shumti në mbrojtjen e hebrenjve. Xhafer Deva, siç dëshmohet nga faktet, ka refuzuar të dorëzoj tek Gjermanet listën e hebrenjve që fshiheshin dhe mbroheshin nga shqiptarët. Ky rol duhet të njihet dhe jo të fshihet.

Rusët, në Evropën Lindore, përmes narrativës antifashiste përpiqen të rishkruajnë historinë e kombeve të vogla, të njëjtën metodë që përdorej nga Beogradi. Bashkëpunimi me nazistët në Kosovë nuk mund të krahasohet me bashkëpunimin e balltikëve, ukrainasve, hungarezëve apo rumunëve me nazistët që ndihmuan në vrasjen e hebrenjve. Ne nuk duhet të turpërohemi për atë periudhë sepse fakti është se në nivel evropian Xhafer Deva bashkëpunoi me anën e errët të kohës, por në nivel lokal ai bashkëpunim ishte në mbrojtje të kombit shqiptar, komb i cili i ka strehuar dhe mbrojtur hebrenjtë si asnjë komb tjetër gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ky fakt ishte i njohur për ShBA-në prandaj, pas përfundimot të LDB-së  Xhafer Devës i ofruan strehim, qëndrim, punë gjatë kohës derisa nuk kishte vdekur.

Jam dakord më një argument të ambasadorit gjerman dhe ky argument është i rëndësishëm për kohën që jetojmë sot. “Nuk ka rishkrim të historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën”. Sot Kosova po përballet me një sulm të madh ndaj historisë së saj shumë të re dhe sidomos luftës së saj për çlirim dhe pavarësi të viteve 1997-1999.

Sidomos në shënjestër është vënë Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila së bashku me NATO-n solli lirinë në Kosovë dhe i dha fund gjenocidit që Serbia po kryente në Kosovë.

Ne e dimë, por duhet t’ua themi edhe miqve ndërkombëtarë, se pas përfundimit të LDB, nuk kishte përfunduar e keqja për ne. Këtë ia ka pahuar vet Millosheviqi gjeneralit Clark. Kjo e vertetë është vazhdimësi e politikës shfarosëse të shqiptarëve prej Sebisë monarkiste, por që strukturat komuniste jugosllave e arsyetonin duke demonizuar ndonjë figurë për kohën e luftës me shpifje e trillime, vetëm e vetëm për të arsyetuar represionin që po ushtronin. Kështu ka ndodhur dhe me figurën e Xhafer Devës.

Në këtë histori Lëvizja antifashiste e Kosovës nuk kishte asnjë rol, përkundrazi gjatë periudhes post-1945, nën trysninë e Beogradit, bëri gjithçka për të luftuar kundër çdo grupi që kërkonte lirinë. Kosova mbetet një nga vendet e pakta ku elita komuniste nuk kishte asnjë rol në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë, ndryshe nga Sllovenia, Kroacia apo Maqedonia. I vetmi ishte Mahmut Bakalli i cili në vitin 1981 u luftua nga klani pro Serb në Lidhjen Komuniste të Kosovës.

Sot në Hagë e themeluar nga Kosova dhe Bashkimi Evropian, Gjykata Speciale e Kosovës po ndryshon narrativën e luftës së Kosovës për pavarësi dhe liri. Kjo gjykatë ka gjetur aleatin e saj në Beograd, i cili ka ofruar të gjithë ndihmën për të paditur dhe për të dënuar potencialisht udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjykata nuk ka asnjë lidhje me institucionet profesionale gjyqësore evropiane.

Standardet që ajo po zbaton, mënyra se si po funksionon dhe shkelja e të drejtave themelore të të paraburgosurve nga ana e saj, e bëjnë këtë gjykatë të duket më shumë si një institucion që funksionon në Iran, se sa në BE.

Ajo gjykatë po përpiqet të akuzojë Kosovën për spastrim etnik të serbëve nga “Kosova në vitin 1999 me qëllim të ndryshimit të demografisë dhe ndikimit në statusin politik të Kosovës”. Kështu thonë dokumentet e Prokurorisë. Ajo i njeh forcat serbe si forca legjitime në Kosovë dhe UÇK-në si ndërmarrje të përbashkët kriminale. Ajo i pranon institucionet e Serbisë si burime të besueshme dhe ato të Kosovës si të korruptuara. Ajo i fsheh dokumente shfajsuese nga institucionet perëndimore dhe të dëshmitarëve nga Kosova, ndërsa përdor fakte dhe dokumente të prodhuara nga Serbia. Ka akuzuar vetëm shqiptarët, ndërsa udhëheqja serbe, gjeneralet dhe ushtarët serbë që kanë kryer krime, i konsideron partnerë në procesin kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky është ndryshimi i vërtetë i historisë që po ndodh, e nxitur sërish në Beograd dhe e mbështetur në mënyrë naive nga disa në Kosovë dhe në Evropë.

Është e tmerrshme që në Kosovë qeveria, opozita dhe shoqëria civile e pranojnë këtë ndryshim të narrativës. Është më absurde se si Bashkimi Evropian po toleron shkeljen e standardeve evropiane të gjyqësorit dhe të të drejtave të njeriut. Nëse një gjykatë në Kosovë do të kishte fshehur dokumente ose deklarata të dëshmitarëve nga dikush, ose një prokuror do të shkelte çdo rregull elementar, kjo do të shkaktonte një zinxhir reagimesh nga diplomatët, shoqëria civile dhe politikanët. Ndaj Gjykatës Speciale ka heshtje të plotë, asnjë përgjegjësi nga gjykata dhe asnjë reagim nga ata që zakonisht reagojnë për çdo gjë.

Për të qenë të qartë, Gjykata duhet të mundësojë një gjykim të drejtë, të pavarur dhe të paanshëm. Jo një proces politik pa fakte, duke i mbajtur qytetarët e Kosovës të arrestuar me baza politike. Por Gjykata nuk ka mandat të ndryshojë historinë e Kosovës dhe të rehabilitoj Serbinë. Sot gjykata synon të barazojë Kosovën me Serbinë, dëshiron t’i japë një dhuratë Serbisë: dënimin e Presidentit të parë në hapsirën post-jugosllave për krime lufte. Ky është qëllimi i tyre. Përderisa presidenti i Serbisë gjatë luftës në Kosovë, Milan Milutinoviqi është i lirë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe lidershipi tjetër i UÇK-së është në paraburgim. Ky është ndryshimi i historisë.

Ambasadori gjerman duhet të reagojë.

Kjo është arsyeja pse Kosova duhet të ngrihet kundër revizionizimit të historisë së re që vjen nga Beogradi. Një revizionizim që ka gjetur aleatë në Evropë dhe në Kosovë.

(Autori është këshilltar i kryetarit të AKR’së, Behgjet Pacolli)

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë