Loading…

Mbi shkrimtarët e “shkrimtarët” në fundin e ditës së tyre

  • 04/03/2017 | 11:39

Mbi shkrimtarët e “shkrimtarët” në fundin e ditës së tyre

Shkrimtari shkruan i vetëm dhe i vetmuar, pa televizorin ndezë për të vjedhë sentenca, pa libra hapur për të kopjuar stile e pa lidhje interneti, përveç kur i duhet fakti për ta bërë fiksionin të dukshëm.


Profesori i Universitetit të Prishtinës, në Fakultetin Filologjik, Rrahman Paçarizi ka shkruar disa fjalë për shkrimtarët dhe mënyrat e tyre të të shkruarit, dhe ka theksuar se ka pak shkrimtarë tanë që dijnë të shkrujanë dramë.

Ja shkrimi i i plotë i profesorit:

Edhe si fëmijë kam ëndërru me u bë shkrimtar. Sigurisht ka qenë produkt komplementar i pasionit për leximin. Kam bë edhe përpjekje për këtë- kam botu dy libra. Për t’parin është folë mirë, të dytin e kanë eklipsu ngjarje më të mëdha-lufta. Ndërkohë kam guxu me shkru mbi letërsinë, jo si akt i krijimit, por për libra të veçantë. Virusi i frikës për me botu poezi e tregime (për roman s’kam durim e dramë s’di me shkru- pak shqiptarë dinë) u përhap edhe mbi guximin për shkrime mbi letërsinë. Duke mos e bë hesapin facebook-un kam plasu tregime e poezi në fb. Dikush i ka lavdëru e dikush i ka keqkuptu. Like-t (pëlqimet) janë varë nga shumëçka.

Kur kam qenë fëmijë më ka ndodhë me lexu ndonjë libër poezie të ndonjë autori që ka shkru vetëm një libër Atë fat s’ia dëshiroja vetes. Ende mendoj se kam kohë me shkru e me botu. Me shkru shkruaj, por sa kalon koha (sa plakem i bjen po s’po e bëj të madhe) me shtohet frika nga botimi. Dikush thotë kjo është përgjegjësi. Tash kam dilema nëse frika është virtyt apo diçka e keqe. Ka të tillë që thonë se kjo s’është kohë për letërsi, pasi letërsia e mirëfilltë eklipsohet nga produktet serike që krijohen lehtë e konsumohen lehtë.

Letërsia nuk është film (qoftë ai edhe më i miri i mundshëm), letërsia nuk është as vetë rrëfimi, as intriga – letërsia është mënyra se si thuhet ai rrëfim, letërsi është prosedeu, është mbarështrimi, është ideja dhe ideologjia, ështe botëkuptimi dhe këndvështrimi origjinal mbi botën. Pra, nëse drama personale a nacionale është letërsi, nuk është e tillë edhe intriga serike, sado që të varfrit mund ta shohin si lehë për mbëltimin e ëndrrave. Një akt seksual mund t jetë letërai, por jo edhe pornografia – ajo është produkt per konsum masiv nga masa impotente dhe pa imagjinatë, së cilës dikush mund t’ia cysë atë imagjinatë, por jo ta ngre për kapistalli deri ne banalitet. Për Helenën e Iliadës nuk i di kufijtë e sakrificës, për Helenën e dy filmave mbi Trojën as një espreso me miqtë s’do e sakrifikoja. Atëherë, qysh shkruhet letërsia pa zotërim të lartë të gjuhës (jo si drejtshkrim, por si kompetencë gjuhësore e cila performohet në nivele te larta vetëm nga shkrimtarët). Shoqëria konsumuese nuk i përcakton vlerat, ky tagër i takon elitës.

Shkrimtari do pa si skizofren dhe personaliteti i tij socialnuk do ngatërru me shkrimtarin krijues, pasi i pari është fenomen social e i dyti është fenomen individual – shkrimtari shkruan i vetëm dhe i vetmuar, pa televizorin ndezë për të vjedhë sentenca, pa libra hapur për të kopju stile e pa lidhje interneti, përveç kur i duhet fakti për ta bë fiksionin të dukshëm. E kufiri këtu i hollë është – veç mjeshtrit e shohin. E mjeshtrit jane pak, ndryshe s’do të ishin mjeshtër.

Sado që t’mahnitë Ferma e Kafshëve s’bën me e ritregu, sado t’mahnitë Fifty Shades of Grey dhe sado adoleshent e paç trunin, s’ke bë letërsi pse e paske kopju krejt a copa-copa. Këtë punën e bërjes letërsi sea thyerja e tabuve e kanë shkrry në shekullin XX. Mos na lodhni ma shumë se u ngjirët duke i thënë vetes shkrimtarë për me i bindë të tjerët se jeni. Me e pasë kuptu se çka do me thënë shkrimtar, e kishit respektu aq sa mos me i thënë vetes të tillë. E trima po, trima jeni. /gazetametro.net

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë