Loading…

Mbrojtja e Thaçit kërkon lirimin e tij me kusht, ish-presidenti ofron 50 mijë euro garanci

  • 11/07/2026 | 18:54

Mbrojtja e Thaçit kërkon lirimin e tij me kusht, ish-presidenti ofron 50 mijë euro garanci

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ofruar 50 mijë euro dorëzani në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në përpjekje për t’u liruar me kusht në rastin e dytë, ku akuzohet për tentim të pengimit të administrimit të drejtësisë.


Lajmi është bërë i ditur nga Klan Kosova, sipas të cilit kërkesa është dorëzuar nga mbrojtja e Thaçit, e udhëhequr nga avokatja Sofie Menegon.

Sipas kërkesës, shuma prej 50 mijë eurosh është siguruar me ndihmën financiare të familjarëve dhe miqve të Thaçit. Gjysma e shumës është ofruar nga njëri prej vëllezërve të tij, ndërsa pjesa tjetër nga dy miq. Mbrojtja ka dorëzuar edhe dëshmi për gjendjen financiare të garantuesve, me qëllim që të bindë gjykatën se shuma ka vlerë reale dhe do të humbej nëse Thaçi do të shkelte kushtet e lirimit.

Në parashtresë argumentohet se nuk ekzistojnë më arsye për vazhdimin e paraburgimit të Thaçit në këtë rast, duke qenë se ai është i vetmi nga të bashkakuzuarit që vazhdon të mbahet në paraburgim.

Nëse lirohet me kusht, Thaçi është zotuar se do të banojë me bashkëshorten dhe djalin e tij në një shtëpi në periferi të Prishtinës dhe do të respektojë të gjitha kushtet që mund t’i vendosë gjykata. Ai ka premtuar gjithashtu se nuk do të kontaktojë asnjë nga të bashkakuzuarit, dëshmitarët apo persona që mund të kenë lidhje me proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara.

Tre të bashkakuzuarit e tij në këtë rast – Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Bashkim Smakaj – ishin liruar më herët me kusht pasi kishin ofruar dorëzani prej gjithsej 130 mijë eurosh dhe kishin pranuar të zbatonin një sërë kushtesh të vendosura nga gjykata.

Ndërkohë, sipas raportimit, edhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka kërkuar lirim me kusht në rastin kryesor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke argumentuar se shtyrja e shpalljes së aktgjykimit deri më 16 shtator cenon të drejtën e tij për liri dhe jetë familjare

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë