Loading…

Mbyllet faza e provave: Specialja nxjerr datat për deklaratat përmbyllëse në rastin e Thaçit dhe të tjerëve

  • 06/08/2026 | 11:09

Mbyllet faza e provave: Specialja nxjerr datat për deklaratat përmbyllëse në rastin e Thaçit dhe të tjerëve

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, njoftojnë se është mbyllur faza e paraqitjes së provave në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, në gjykimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përcjell Gazeta Metro.


Gjykatësi i vetëm, Christopher Cosnell ka lëshuar urdhër me të cilin e deklaroi të mbyllur fazën e provave dhe konfirmoi datat për dosjet përfundimtare dhe fjalët përfundimtare, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas njoftimit të Speciales, 24 gushti 2026 është caktuar si afat për dosjet gjyqësore përfundimtare, në qoftë se do të ketë, kurse 4 shtatori 2026 për dosjet e kundërpërgjigjeve, në qoftë se do të ketë. Ndërkaq, 10, 11 dhe 14 shtatori 2026 u caktua si datë për deklaratat përmbyllëse.

Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse. Dëshmia e tij përfundoi më 2 mars 2026.

Më 3 dhe 4 mars 2026 dëshmoi dëshmitari i dytë Koen Herlaar- ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës. Po më 4 mars nisi dëshminë dëshmitari i tretë, Chrisopher Kelly- hetues i forenzikës digjitale. Ky dëshmitar e përfundoi dëshminë më 5 mars. Ndërsa, si dëshmitare e mbrojtjes së Thaçit dëshmoi ekspertja e transkriptimit në fushën e kriminalistikës, Helen Fraser. Ajo dëshmoi mç 11 dhe 12 maj 2026.

Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë