Loading…

Më pak grurë sivjet në ara, Kosova po importon nga Serbia

  • 04/11/2022 | 16:51

Më pak grurë sivjet në ara, Kosova po importon nga Serbia

Kosova ka më pak grurë sivjet. Rendimenti nga të mbjellat vjeshtore të vitit të kaluar, mbulon vetëm rreth 64 përqind të nevojave të vendit. Pjesa tjetër duhet të mbulohet nga importi. Nga Shoqata e Mullisëve thonë se veçse kanë filluar me import. Shumica e grurit po blihet nga Serbia.


Të mbjellat vjeshtore të vitit të kaluar s’kanë qenë aq të frytshme për kosovarët. Si rrjedhojë, sivjet do të jetë nevoja më e lartë për import ka raportuar Gazeta Express.

Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kanë thënë se rendimenti i grurit ka shënuar rënie krahasuar me vitin e kaluar.

“Këtë vit (2022) është arritur rendimenti mesatar prej 3,392.2 kg/ha, e që është më i ulët krahasuar me rendimentin mesatar të vitit të kaluar (2021) që ka qenë 3,804k g/ha”, kanë deklaruar nga ky institucion.

Sipas Ministrisë, ndikim në këtë ka pasur mungesa e lagështisë në gazën e formimit të kokrrës, temperaturat e larta që kanë ndikuar në përshpejtimin e pjekjes si dhe dëmet nga breshëri në disa komuna.

Përveç këtyre faktorëve natyrorë, Ministria thotë se në ulje të rendimentit ka pasur ndikim mos përdorimi i mjaftueshëm i plehrave minerale dhe produkteve për mbrojtjen e bimëve, që qytetarët s’kanë pasur mundësi t’i blejnë shkaku i rritjes së çmimeve.

“Ekzistojnë disa faktorë që kanë ndikuar në arritjen e këtij rendimenti, si: mungesa e lagështisë së mjaftueshme në fazën e formimit të kokrrës gjatë muajit Maj, si dhe dekada e fundit e muajit Qershor ka qenë me temperatura të larta e që kanë ndikuar në përshpejtimin e pjekjes së grurit, si dhe dëmeve të shkaktuara nga breshri në disa komuna. Ndikim në ulje të rendimentit ka pas edhe mos përdorimi i mjaftueshëm dhe adekuat i agroinputeve bujqësore (plehrave minerale dhe produkteve për mbrojtjen e bimëve) si rezultat i çmimeve të larta gjatë këtij viti”, kanë deklaruar nga MBPZHR’ja.

Me këtë rendiment, Kosova arrin t’i mbulojë rreth 64 përqind të nevojave të saj, me kushtin që të mos eksportojë fare. Pjesa tjetër duhet të mbulohet me import.

“Nevojat ushqyese me grurë për popullatën e Kosovës janë rreth 200 kg për kokë të banorit për një vit, andaj për konsum vjetor nevojiten rreth 360,000 tonë grurë. Me sasinë e grurit të prodhuar në vitin 2022 (229,008.50 tonë), Kosova arrin që t’i plotësoj nevojat e saj me grurë prej 63.61 %, por me kusht që e tërë sasia e grurit të prodhuar të konsumohet brenda vendit. Bazuar në raportin e korrje shirjeve të vitit 2021, rendimentin mesatar i grurit ka qenë 3,804 kg/ha”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë.

Për të siguruar pjesën tjetër të grurit, Shoqata e Mullistëve të Kosovës thotë se ka filluar moti me përgatitje.

Kryetari i kësaj shoqate, Bashkim Zejnullahu, i ka thënë Gazetës Express se kanë filluar të importojnë që nga koha e korrje-shirjeve.

Më së shumti thotë se po importohet nga Serbia.

“Ne veç jemi duke importur. Kosova veç ka filluar importet, qysh gjatë kohës së korrje-shirjeve e këndej. Kemi bërë parapërgatitje që sivjet të jemi ma të përgatitur, meqë është situatë turbulente, të mos rrijmë nën rezerva të skajshme. Unë besoj që të gjitha kompanitë kanë mundësi, ia kanë fillu me importu dhe t’u i mbajt stoqet më stabile. Shtetet prej të cilave është tu importu është kryesisht nga Serbia, pastaj Hungaria e Kroacia”, ka thënë Zejnullahu.

Sipas Zejnullahut, çmimi i grurit ka shënuar rënie pas kthimit të Rusisë në marrëveshjen me Ukrainën.

“Është stabilizu, apo është kthy mbrapa çmimi. Është liru. Nuk pres që në këtë dy javësh me reagu. Është stabilitet. Rusia reflektoi pozitivisht në marrëveshjen e Ukrainës dhe kjo ka ndiku menjëherë në berzë që çmimi me u kthy nashta qysh u kanë edhe para dy jave”, ka deklaruar Zejnullahu.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë