Loading…

Më shumë punë, më pak kopalla: Costa shkurt e shqip qeverisë në largim, BE pret rezultate

  • 03/06/2026 | 17:48

Më shumë punë, më pak kopalla: Costa shkurt e shqip qeverisë në largim, BE pret rezultate

Pas vizitës në Tiranë, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, të mërkurën ndaloi në Prishtinë, ku u takua me krerët e shtetit e kërkesë kryesore prej tyre ishte marrja e statusit të vendit kandidat, përcjell Gazeta Metro.


Costa vizitën e nisi me takim me UD-Presidenten, Albulena Haxhiu, ku pas takimit kjo e fundit tha se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror dhe zgjedhje demokratike e qytetarëve tanë.

Sipas njoftimit të presidencës, Haxhiu ka kërkuar që të avancohet procesi i integrimit, teksa Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka as statusin e vendit kandidat.

Pas takimit me Haxhiun, Costa u takua edhe me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, ku tha se Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në reforma, demokraci dhe ekonomi, me përmirësime në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe demokracinë zgjedhore e liberale, si dhe me rritje ekonomike të qëndrueshme, ndër më të shpejtat në rajon.

“Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian, sigurinë dhe rëndësinë e fqinjësisë së mirë në funksion të bashkëpunimit rajonal. Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së, ka dënuar luftën agresive të Federatës Ruse ndaj Ukrainës në termat më të ashpër dhe i është bashkuar të gjitha sanksioneve të BE-së kundër Rusisë”, u tha në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Pasditen e së mërkurës, Costa mbajti konferencë për media, në të cilën u ndal te aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i dorëzuar në vitin 2022, duke nënvizuar se procesi kërkon përkushtim të vazhdueshëm në zbatimin e reformave të dakorduara.

“Në agjendën e reformave jemi pajtuar në procesin e anëtarësimit drejt BE-së dhe është shumë e rëndësishme që Kosova, hap pas hapi, t’i japë rezultatet e asaj që veçse jemi pajtuar”, tha Costa.

Me Costan janë takuar edhe Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, bashkë me Shefin e Kabinetit të kryetarit të PDK-së, Ardian Arifaj, ku kanë diskutuar për sfidat që Kosova ka përpara si shtet, por edhe për potencialin dhe të ardhmen evropiane të saj.

“Në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit, riafirmova bindjen time se Kosova duhet të vazhdojë rrugëtimin e saj me besim, stabilitet dhe partneritet të ngushtë me aleatët tanë evropianë. Vendi ynë e ka vendin në Evropë, jo vetëm gjeografikisht, por edhe politikisht, institucionalisht dhe në vlerat e përbashkëta që ndajmë”, është shprehur Çitaku.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bashkë me Vjosa Osmanin, janë takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, ku u tha se kanë diskutuar për hapat që do të ndërmarrin në mënyrë që Kosova të ecë përpara drejt integrimit evropian, nëpërmjet statusit të kandidatit për anëtarësim në BE dhe zbatimit të Planit të Rritjes.

“Kosova duhet të jetë aty ku e meriton, në mesin e kombeve të lira evropiane, e për këtë duhen institucione stabile, të përgjegjshme e që zgjedhin rrugën euro-atlantike në çdo rrethanë”, ka shkruar Abdixhiku.

Ndërsa lideri i Aleancës, Ardian Gjini, vlerësoi se Kosova ka ende shumë detyra dhe reforma për të përmbushur në procesin e integrimit, prandaj sipas tij duhen institucione të forta dhe stabile.

“Gjatë këtij takimi produktiv, riafirmova pozicionin e palëkundur të Aleancës për rrugëtimin euroatlantik të Kosovës.
Për ne, Bashkimi Evropian dhe NATO mbeten adresa e vetme dhe e paalternativë strategjike. Kosova ka ende shumë detyra dhe reforma për të përmbushur në procesin e integrimit, prandaj na duhen institucione të forta dhe stabile”, ka shkruar Gjini.

Qysh në dhjetor të 2022-ës, Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE, por megjithatë nuk ka kaluar as në fazën e parë formale, atë të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimit për opinion në Komisionin Evropian.

Pas qëndrimit në Prishtinë, Costa do të udhëtojë drejt Serbisë, për takime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, kryetaren e Parlamentit, Ana Bërnabiq, dhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë