Loading…

Me vizë pune: Në Gjermani janë punësuar mbi 40 mijë persona nga Ballkani

  • 06/08/2017 | 14:00

Me vizë pune: Në Gjermani janë punësuar mbi 40 mijë persona nga Ballkani

Shumë mjekë e mjeke, infermierë dhe infermiere, farmacistë dhe farmaciste nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare kanë pothuaj vetëm një synim: emigrimin në Gjermani. Superfuqia ekonomike europiane ka nevojë për specialistë nga të më ndryshmit, por jo për refugjatë, kryesisht të pakualifikuar.


Në vitet 2014/2015 nga Kosova vlerësohet të jenë larguar rreth 100 mijë veta, njerëz të varfër, të dëshpëruar me mungesën e perspektivës ekonomike, familje nga zonat rurale të Kosovës, aty ku dora e shtetit nuk shihet dhe ku s’investohet asgjë dhe ku infrastruktura është në gjendje të mjerueshme. Kjo kategori ka kërkuar azil politik në Gjermani apo vende të tjera të Europës perëndimore, por bëhet fjalë për refugjatë ekonomikë.

Në vjeshtën e vitit 2014 qeveria gjermane i ka shpallur Kosovën, Serbinë dhe Shqipërinë vende të sigurta, andaj asnjë shtetas i tyre nuk ka shans të marrë azil në Gjermani. Njëkohësisht qeveria vendosi të krijojë kushte për emigrim legal të qytetarëve shqiptarë, kosovarë dhe serbë. Që nga atëherë mijëra njerëz nga rajoni kanë shkuar legalisht në Gjermani, ku janë punësuar. Bëhet fjalë për rreth 40 mijë punëtorë. Atyre ua kanë ndërmjetësuar vendet e punës zyrat e Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe Agjencia Federale e Punës (BA).

Këto dy agjenci kanë hapur përfaqësi në Beograd, Prishtinë dhe Tiranë dhe u ndihmojnë të interesuarve të gjejnë një vend pune në Gjermani, natyrisht nëse janë të kualifikuar për ndonjë sektor të ekonomisë gjermane, i cili ka nevojë për punëtorë. Kjo ofertë e re gjermane është edhe një përpjekje për të penguar emigrimin ilegal nga Ballkani.

Një zyrtare e Agjencisë Federale të Punës i ka deklaruar gazetës gjermane «Süddeutsche Zeitung» se ekziston një kërkesë e jashtëzakonshme në të dy anët – edhe në mesin e punëkërkuesve në Ballkan, edhe në mesin e firmave në Gjermani. Madje, sipas saj, ka edhe raste kur vende pune në Gjermani arrijnë të gjejnë edhe punëkërkues pa ndonjë kualifikim. Më së shumti nevojë për punëtorë ka sektori i kujdesit për të sëmurët dhe pleqtë, pastaj firmat gjermane kërkojnë elektricistë dhe zejtarë të tjerë.

Qëllimi i zyrave gjermane në rajon është t’u ndihmojë edhe refugjatëve të kthyer për t’u integruar sërish në shoqëritë e tyre. Gazeta «Süddeutsche Zeitung» shkruan për rastin e një familjeje me katër anëtarë, e cila pas dëbimit nga Gjermania është kthyer në Tiranë, ku pala gjermane i ka ndihmuar të shkollojë fëmijët, ndërsa prindërit po ndjekin një kurs për pastiçiere dhe kuzhunier.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë