Loading…

Mediat e sfiduara nga incidentet, pandemia dhe jotransparenca e institucioneve në Kosovë

  • 26/12/2021 | 18:25

Mediat e sfiduara nga incidentet, pandemia dhe jotransparenca e institucioneve në Kosovë

Mediat në Kosovë, gjatë vitit 2021, janë përballur me një mori sfidash, sidomos në aspektin e sigurisë së gazetarëve dhe sigurisë financiare, e cila është përkeqësuar për shkak të pandemisë së koronavirusit, por edhe në aspektin e punës profesionale dhe transparencës së institucioneve ndaj mediave, vlerësojnë Xhemajl Rexha nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias.


Shqetësim kryesor, sipas tyre, vazhdojnë të jenë sulmet, kërcënimet ndaj gazetarëve, si dhe pengimi i punës së tyre.

Sipas të dhënave nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), gjatë vitit 2021, janë evidentuar 28 incidente ndaj gazetarëve.

Xhemajl Rexha, kryetar i AGK-së, thotë për Radion Evropa e Lirë, se këto incidente kanë qenë sulme të formave të ndryshme ndaj gazetarëve.

“Jo domosdo të gjitha sulme fizike, por ka pasur vazhdimisht kërcënime online ndaj gazetarëve për shkak të punës së tyre. Në fillim të vitit është sulmuar fizikisht Visar Duriqi, që mbetet rasti më i rëndë. Tash në fund të vitit, kemi parë mbi 100 kërcënime ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi, për shkak të disa deklaratave të tij, e të cilat janë denoncuar në polici. Policia ka arritur të arrestojë të paktën 2 persona dhe konsideroj se është një lajm i mirë, pra, intervenimi i shpejtë dhe trajtimi me prioritet i këtyre rasteve”, tha Rexha.

Ai shtoi se kërkesa e vazhdueshme e gazetarëve ka qenë që rastet e sulmeve të çfarëdollojshme ndaj tyre të trajtohen me prioritet nga organet e rendit dhe të drejtësisë.

Flutura Kusari, juriste e të drejtës së medias, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thekson që edhe gjatë vitit 2021, përgjithësisht është vazhduar trendi i mosndëshkimit ndaj atyre që rrezikojnë ose kanë tendenca të rrezikojnë gazetarët. Sipas saj, mediat dhe gazetarët janë përballur edhe me probleme të tjera.

“Policia dhe prokuroria veprojnë shumë ngadalë ose nuk veprojnë fare. Kjo pastaj e vështirëson klimën e gazetarëve. Kemi mungesë transparence (të institucioneve qeveritare), ndonëse kryeministri (Albin Kurti) ka thënë se së fundmi se është rritur transparenca. Ankesat e gazetarëve, të cilat janë të bazuara, qëndrojnë, sepse nuk ka transparencë. Edhe kjo qeveri po vepron në mënyrë të mbyllur. Kemi edhe çështjen e aspektit financiar. COVID-19 ka lënë pasojë për shumicën e medieve, të cilat ende e kanë shumë vështirë të kthjellen nga situata e rëndë ekonomike”, tha Kusari.

Se pandemia ka goditur ekonomikisht mediat, këtë e konfirmon edhe Xhemajl Rexha. Sipas tij, kjo ka bërë që një numër i madh i gazetarëve të largohet nga puna. Përveç këtij problemi, siç thotë ai, gazetarët përballen edhe me kushtet e punës në mediat ku punojnë. Për më shumë, sipas tij, mbetet problem mungesa e kontratave për një numër të madh të gazetarëve në Kosovë dhe gjithashtu edhe mospagesa e kontributeve për gazetarët që kanë kontrata në mediat e caktuara.

Rexha shtoi se gjatë vitit 2021, gazetarët kanë pasur probleme me sigurimin e informatave nga institucionet ekzekutive dhe legjislative.

“Edhe këtë vit, por edhe vitin tjetër besoj që do të mbetet sfidë transparenca e institucioneve qendrore, sidomos e Qeverisë së Kosovës. Ajo i ka dy zëdhënës , që besoj që nuk janë shumë të pranishëm në media për të dhënë përgjigjet, të cilat i duan gazetarët. Gjithashtu, përgjigjet me shkrim marrin kohë shumë të gjatë. Shpesh nuk kthehen fare, arsyetimi i qeverisë është se ka shumë media në Kosovë, gjë që është e vërtetë. Por, ka njerëz të mjaftueshëm që punojnë në Zyrën e Kryeministrit dhe nëpër ministri dhe detyrë e tyre është që të kthejnë përgjigje për gazetarët çfarëdo qofshin ato”, tha Rexha.

“Vdekja” e gazetarisë lokale dhe pozicionimet politike në debate televizive

Por, Flutura Kusari thotë se gjatë vitit 2021, veçanërisht gjatë kohës së fushatave parazgjedhore dhe zgjedhore, zgjedhjeve lokale që u mbajtën në Kosovë në muajin tetor, si dhe rundi i dytë i tyre në nëntor, “ka dëshmuar se gazetaria lokale ka vdekur në Kosovë, deri në atë masë sa që në televizione kemi qenë të varur të shohim panelistë që nuk kanë qenë të pavarur dhe që kanë pasur agjendë politike”.

“Problemi është tek mediat që u japin njerëzve një platformë të tillë, që të plasojnë informacione, të cilat nuk verifikohen. Pastaj, kjo krijon opinionin publik dhe përkthehet edhe në rezultatin zgjedhor. Kësaj, një pjesë e këtyre debateve koti, ka pasur ndikim te mediat. Këtu është vënë në pah mungesa e gazetarisë lokale. Në qoftë se ne do të kishim gazetarë nëpër qytete të ndryshme, që do të na tregonin neve se si vepron një kryetar i caktuar, çfarë projekte po zbaton, ku po dështon, atëherë ne do ta kishim një pasqyrë shumë më të mirë për këta politikanë. Por, kjo nuk ka ndodhur”, tha Kusari.

Rexha shpreh mendimin se televizionet dhe mediat tjera, në masë të madhe kanë arritur të pasqyrojnë në masë të barabartë aktivitetet e partive politike gjatë fushatës zgjedhore. Por, dallimi ekziston, siç thotë ai tek debatet politike, ku të ftuarit shpeshherë ishin gazetarë ose edhe të tjerë, të cilëve u referohen si analistë, por që shpeshherë janë pozicionuar politikisht në mënyrë të qartë.

“Natyrisht, në shumicën e vendeve demokratike nuk ka ndonjë problem që opinionistët të marrin qëndrime të politikave të djathta ose të majta, por kjo interpretohet ndryshe në Kosovë. Besoj që, në fakt, mediat dhe opinionet nëpër studiot televizive kanë luajtur rol të rëndësishëm në të dyja herët, në shkurt të këtij viti tek zgjedhjet parlamentare, si dhe pastaj, ndryshim të madh të rezultatet që kanë pësuar zgjedhjet lokale të tetorit dhe pastaj edhe rundit të dytë të nëntorit”, tha Rexha.

Flutura Kusari ka theksuar se kur bëhet fjalë për spektrin e medieve në Kosovë, gjatë vitit 2021, ka ndodhur siç e quan ajo “një lajm i mirë”. Ajo e veçon zgjedhjen e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), shërbyes ky publik, duke theksuar se në këtë bord janë zgjedhur “njerëz që kanë integritet, përvojë, ekspertizë dhe të cilët nuk janë të ndërlidhur drejtpërdrejtë me ndonjë parti politike”./rel/

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë