Loading…

Medreseja ‘Alauddin’ që u bë qendër aktivitetesh nën okupim

  • Nga

  • SYLEJMAN OSMANI

  • 28/11/2019 | 18:27

Medreseja ‘Alauddin’ që u bë qendër aktivitetesh nën okupim

Medreseja e Mesme ”Alauddin në Prishtinë, gjatë viteve 1989-1999, ishte vend ku organizoheshin takime prej më të ndryshmëve. Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës nga ana e regjimit serb të vitit 1989, dhe dhunës së paparë që ushtrohej ndaj popullit shqiptar, ky institucion u organizua dhe u mobilizua që t’i kundërvihej dhe t’i bëjë ballë këtij represioni.


Shkruan Sylejman Osmani

Dyert e këtij institucioni ishin të hapura për të gjithë, si për organizime me karakter kombëtar, pajtime, politikë, kulturorë, edukim, arsim, humanitet, me një fjalë gjithçka që ishte e nevojshme dhe e domosdoshme për popullin në këtë kohë. Pas mbylljes së institucioneve dhe largimit nga puna e shqiptarëve, e në veçanti largimit të nxënësve dhe studentëve nga vatrat e tyre legjitime, Medreseja u solidarizua dhe hapi dyert për këtë kategori. Fillimisht u strehuan studentët e larguar nga konviktet e tyre. I tërë konvikti i shkollës sonë ishte i mbushur me studentë, ku atyre iu ofroheshin të gjitha shërbimet nga ana jonë. Të gjitha strukturat që merreshin me organizimin e mësimit paralel si dhe strukturat e Universitetit, i mbanin takimet, dhe nga këtu merreshin vendimet se si të veprohej. Përpos sektorit të arsimit, që ishte më i dëmtuari, e njëherit më i domosdoshmi që të mbahej gjallë, në këtë institucion janë organizuar dhe mbajtur të gjitha takimet sindikale në nivel të Republikës së Kosovës, formimi dhe organizimi i aktiviteteve partiake. Lobimi dhe pritja e delegacioneve të ndryshme ndërkombëtare ka qenë shumë i organizuar dhe i dobishëm për sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar, për gjendjen e rëndë që po mbretëronte në Kosovë. Në qershorin e viti 1992, pas zgjedhjeve që u mbajtën në nivel të Kosovës, u vendos që konstituimi i Kuvendit të parë i Republikës së Kosovës të mbahet në Medrese. Pas përgatitjeve të bëra për këtë tubim, kjo u pengua nga organet serbe. Personeli i Medresesë me këtë rast u keqtrajtua, maltretua dhe u përdor edhe dhunë fizike ndaj tyre, ndërsa objekti u demolua dhe shkatërrua nga forcat serbe, e Medreseja u mbajt e okupuar një javë të plotë. Prapë edhe pas kësaj gjendjeje aktiviteti i këtij institucioni vazhdoi edhe me një vendosmëri më të madhe, për të kontribuar në çështje kombëtare që i kërkonte koha. Pas shumë ngjarjeve të rënda që ndodhën, nevoja për një organizim më të fuqishëm ishte prezente, sepse gjendja veçse keqësohej edhe më shumë. Pas unifikimit dhe solidaritetit të popullit me gjendjen e rëndë, ndihej nevoja edhe për organizime dhe sakrifica të tjera. Mendohej se pas përgatitjes, unifikimit të faktorit shqiptar dhe sensibilizimit të çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare, nevojiten edhe përgatitje dhe forma të tjera, që rezistenca jonë të jetë edhe më e fuqishme. Kjo bindje në institucionin tonë, ishte e pashmangshme, dhe punohej në këtë drejtim. Fillimisht nëpërmes punës sonë, pra të përgatitet populli edhe për gjendjen më të rëndë që po vinte.

Duke e ditur kontributin, dhe punën e pashoqe që bëhej në këtë institucion, dhe faktit se jemi njohur më herët, në këtë institucion kontakton, Fatmir Xhelili- anëtar i Shtabit të UÇK’së. Fillimisht u njoftua nga ne për punën dhe aktivitetin që zhvillohej në këtë institucion. Pas njoftimit të gjithëanshëm të aktivitetit që zhvillohej, e në veçanti ndikimi dhe kontakti që kishim me popullatën në përgjithësi Fatmiri shprehu me admirim, dhe fuqishëm dha përkrahje për punën që bëhej, duke kërkuar që ky aktivitet të zhvillohej edhe më tutje.
Prej këtij kontakti ne u njoftuam nga ai për organizimin që po bëhej për rezistencë të armatosur dhe formimin e UÇK’së, dhe rolin që ka në këtë organizim. Kërkesa dhe dakordimi u bë që aktivitetin ta zhillojmë në dy rrafshe. Në rrafshin e parë: të njoftohen masa e gjerë për këtë organizim, por kjo të bëhet me mençuri, dhe të tregohet pjekuri maksimale, sepse rrethanat ishin të rënda, nga represioni që bënte regjimi serb dhe pasojat mund të ishin të rënda, si për individin ashtu edhe për organizimin në përgjithësi.

Ndikimi ynë të bëhej fillimisht me prindërit e nxënësve, që kishim kontakte të sinqerta dhe me njerëzit që ne kishim besim të plotë në ta. Duhej të shfrytëzohej autoriteti i institucionit që kishte ndikimin e tij në masë të gjerë, dhe te subjektet e ndryshme që aktivitetet i zhvillonin në këtë objekt. Kërkohej gjithëherë që puna dhe aktiviteti të bëhej me kujdes maksimal, në mënyrë që të ruhej ky institucion dhe organizimi në përgjithësi.

Në rrafshin e dytë kërkohej që të bëhej organizimi edhe për ndihmë konkrete për UÇK’në , si me mjete financiare, ashtu edhe me ndihma të tjera.
Falë bashkëpunimit dhe aktivitetit të Fatmirit, që ishte i mirëseardhur dhe ndihmë edhe për ne, institucioni ynë ka luajtur një rol të rëndësishëm sa i përket kësaj çështjeje, si në aspektin e njoftimit dhe sensibilizimit të masës së gjerë, ashtu edhe për luftën e armatosur, e që ishte e pashmangshme.
Njoftimi nga dora e parë për ne ishte edhe një motivim shtesë dhe garancion për një angazhim edhe më të fuqishëm, që me sukses të përballohej situata e rëndë dhe suksesi i organizimit të UÇK-së, dhe lufta e saj të jetë fituese, siç edhe ndodhi.

Edhe në rrafshin e ndihmës konkrete me gjëra materiale ishte i suksseshëm. Nga organizimi i institucionit tonë, UÇK-ja është ndihmuar në vazhdimësi dhe në çdo kohë me gjëra ushqimore, veshmbathje, mjete teknike, financiare etj. Vlen të theksohet se të gjitha organizimet e kësaj natyre janë bërë nga Këshilli i Solidaritetit të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, që vepronte me seli në Medrese.

Pas përfundimit të luftës, që rezultoi me çlirimin e Kosovës, edhe pse në rrethana të tjera, prapë interesimi dhe bashkëpunimi me Fatmir Xhelilin ka vazhduar. Interesimi i vazhdueshëm ka qenë për rrjedhën e gjërave në përgjithësi, si dhe për institucionin tonë.

Falë këtij mirëkuptimi dhe bashkëpunimi që unë kisha, me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovëes, me 17 shkurt 2008, jemi konsultuar dhe organizuar që kjo ngjarje me rëndësi për ne të kaloj siç është më së miri. Ndihej nevoja që të kemi një aktivitet të shtuar në terren, sepse dyshohej se mund të ketë një aksion të organizuar për të prishur imazhin e kësaj date. Me kërkesë të tij kam marrë obligim që të interesohem për rajonin që unë i përkas, e në veçanti ruajtjen e digës kryesore të sistemit ”Ibër Lepenc”, që shtrihej në fshatrat rrëzë Çiçavicës.

Këtë çështje e kemi organizuar në ditët, para, gjatë dhe pas shpalljes së pavarësisë. Kemi lëvizur prej fshatit Nevolan, Vërmicë, Resnik, Shallc, Druar, Mihaliq, Strofc, Gllavotin dhe Bivolak, fshatra këto që janë përreth digës kryesore të sistemit ”Ibër Lepenc”. Kemi takuar banorë të këtyre fshatrave, duke i uruar për këtë festë të madhe. Gëzimi e disponimi ka qenë jashtëzakonisht i madh, e që vërehej të çdo njeri. Duke ndarë gëzimin me ta, kemi pyetur se a ka diçka të re, e që mund të prishte atmosferën festive. Kemi kërkuar që të bëhej vëzhgim i përhershëm, në mjedisin që ata i përkisnin, se a mos po ndodhte diçka e papritur. Këtë vëzhgim e kam kryer me: Shemsi Mustafën, Fahri Bahtirin, Xhelil Ismajlin, Sami Osmanin dhe Bajram Osmanin.

Vlen të theksohet se përkushtimi, si nga ne, si grup, por edhe nga masa në përgjithësi ishte i jashtëzakonshëm. Entuziasmi për këtë ngjarje ishte kudo, dhe disponimi për vëzhgim të situatës që të mos ndodh diçka e papritur, ishte shumë në nivel. Kemi bërë vizita, kontrolle gati të përhershme në pikat kryesore të këtyre fshatrave.

Ndihma dhe përkrahja e këtij grupi, për mua ka qenë shumë e madhe, se nuk kanë kursyer kohën, mundin, veturat e shumëçka tjetër.
Fati deshi dhe kjo ngjarje u zhvillua për mrekulli, pa ndodhur as më i vogli problem. Për ne gëzimi ishte i dyfishtë, së pari shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës, dhe së dyti, që bëmë një shërbim të vogël për këtë ngjarje, që sigurisht është ngjarja më e rëndësishme për popullin dhe vendin tonë.

Përpos kontaktit të vazhdueshëm që kishim me Fatmirin, në fund të kësaj ngjarjeje e njoftuam për entuziasmin dhe punën që është bërë gjatë festimit të kësaj ngjarjeje, e cila përfundoi siç është më së miri, dhe pa ndonjë problem. Shprehu urimin dhe falënderimin e tij për këtë organizim, dhe për personat që kanë dhënë kontribut konkret në këtë çështje. Kërkoi prej nesh që edhe në të ardhmen të punohet me kujdes, dhe të ruhet mirëqenia e Republikës, ku ndihma dhe përkrahja e tij nuk do të mungojë. Kontakti dhe interesimi për institucionin tonë dhe për ngjarjet me interes të përgjithsëm kanë vazhduar dhe vazhdojnë edhe tani, e që ne i jemi shumë mirënjohës.

(Sylejman Osmani-sekretar i Medresesë së Mesme ”Alauddin”, në Prishtinë.)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë