Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka mbërritur të dielën në Kiev në një vizitë të paparalajmëruar, duke udhëtuar me tren drejt kryeqytetit ukrainas.
Merz deklaroi se qëllimi kryesor i vizitës është të demonstrojë mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Ukrainën, në një periudhë që ai e konsideron vendimtare për luftën dhe sigurinë evropiane.
“Ukraina do të ketë nevojë për mbështetjen tonë të plotë në javët në vijim. Nëse Rusia nuk ndalet, herët a vonë makineria e saj luftarake do të drejtohet kundër nesh”, deklaroi Merz pas mbërritjes në Kiev.
Ai theksoi se Gjermania dhe Ukraina po bashkëpunojnë edhe në sektorin e mbrojtjes, duke zhvilluar teknologji që, sipas tij, forcojnë sigurinë e të dyja vendeve.
Gjatë vizitës, Merz shoqërohet nga ministrja e Ekonomisë, Katherina Reiche, si dhe një delegacion biznesi nga sektorët e mbrojtjes dhe energjisë.
Sipas burimeve qeveritare, Gjermania pritet të përshpejtojë dërgimin e mijëra dronëve përgjues dhe prodhimin e armëve me rreze të gjatë veprimi. Për këtë qëllim janë paraparë 1 miliard euro nga fondet buxhetore të miratuara, ndërsa 350 milionë euro të tjera do të ndahen për riparimin dhe restaurimin e termocentraleve të dëmtuara.
Kjo është vizita e katërt e një kancelari gjerman në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit të plotë rus. Merz e kishte vizituar Kievin edhe në maj të vitit 2025, ndërsa para se të merrte postin e kancelarit kishte qenë atje në maj të vitit 2022 dhe dhjetor të vitit 2024.