Loading…

Mesazhi i kryeministrit Isa Mustafa, me rastin e Vitit të Ri 2017 (Video)

  • 31/12/2016 | 15:06

Mesazhi i kryeministrit Isa Mustafa, me rastin e Vitit të Ri 2017 (Video)

Kryeministri Isa Mustafa përmes një video-mesazhi u ka uruar qytetarëve të Kosovës Vitin e Ri 2017, duke përmendur disa nga sukseset dhe sfidat e vitit që po e lëmë pas.


Më poshtë mesazhi i plotë i kryeministrit Mustafa:

Të dashur qytetarë,

Po e përmbyllim një vit të rëndësishëm për Republikën e Kosovës.

Së bashku e forcuam shtetin tonë, e rritëm ekonominë, e ulëm papunësinë, u anëtarësuam në UEFA dhe në FIFA, miratuam Ligjin për Trepçën, morëm Kodin Telefonik, krijuam kushte për hapjen e fabrikave, avancuam raportet me NATO-n dhe me Bashkimin Evropian, miratuam një buxhet rekord mbi 2 miliardë euro e shumë të arritura tjera.

Andaj, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ju shpreh mirënjohje për kontributin tuaj për shtetin, gjatë vitit 2016.

Të dashur motra dhe vëllezër,

Përkundër sukseseve evidente, Republika e Kosovës po përballet me sfida.

Po punojmë pa pushim për lëvizje të lirë, për më shumë vende të punës, për arsim dhe shëndetësi më të mirë dhe për forcim të sundimit të ligjit.

Viti 2017 është një mundësi e hapur për ne, që së bashku, t’i përkushtohemi edhe më shumë zhvillimit të vendit.

Është koha t’i lemë anash kundërshtimet dhe t’i kryejmë punët që i kemi në dorën tonë.

Të nderuar qytetarë,

Këtë vit, Majlinda Kelmendi fitoi Medaljen Olimpike në Brazil, duke na e zbardhur fytyrën para botës.

Po ashtu, Nëna Terezë, u shenjtërua për veprat e saj madhështore në shërbim të njerëzimit.

Kosova është ende kampione e optimizmit duke pas në vete potenciale të mëdha vullneti, pune e kreativiteti.

Besoj shumë se në vitin 2017 do të kemi suksese, do të jetë vit i lëvizjes së lirë, vit i punës dhe i zhvillimit.

Andaj, të punojmë me përkushtim dhe dashuri për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe për shtetin tonë.

Urime nga zemra Vitin e Ri 2017!

Zoti e Bekoftë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj!

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë