Kryesia SBASHK-ut ka mbajtur takim me përfaqësuesit e saj nga të gjitha komunat e Kosovës dhe të universiteteve, për të debatuar lidhur me angazhimet për ndryshimin në Projektligjin për pagat, pasi që është thënë se Projektligji si i tillë është degradues për profesionin e mësimdhënësit.
Siç njofton SBASHK-u, pjesëmarrësit në këtë takim i kanë dhënë mbështetje të fuqishme angazhimit të kryetarit dhe kryesisë që përmes dialogut me përfaqësues të institucioneve të shtetit të Kosovës të korrigjohet ky Projektligj dhe që profesioni i mësimdhënësit të mos mbetet i pozicionuar aq ulët, por të rangohet në vend të merituar.
Përfaqësuesit e SBASHK-ut në takim kanë vendosur, që nëse nuk ka reflektim nga ministritë, atëherë ata pakënaqësinë do ta shprehin edhe përmes organizimit të veprimeve sindikale, duke mos përjashtuar grevën e përgjithshme, bëhet e ditur përmes një komunikate. /gazetametro.net