Loading…

Mësuesit e Lavdrim Muhaxherit e Ridvan Haqifit rrëfejnë sjelljet e tyre në shkollë

  • 22/10/2021 | 23:02

Mësuesit e Lavdrim Muhaxherit e Ridvan Haqifit rrëfejnë sjelljet e tyre në shkollë

Lavdrim Muhaxheri (tashmë i vrarë), i shpallur terrorist, për shkak të aktiviteteve të cilat ka zhvilluar në Siri e Irak, ka jetuar në një lagje në qendër të qytetit të Kaçanikut.


Kaçaniku në kohën sa Muhaxheri ka qenë gjallë, ishte identifikuar si vendi me më së shumti banor të cilët kishin ndjekur rrugën për të shkuar në zonat e konfliktit.

Në shtëpinë e Lavdrim Muhaxherit jetojnë prindërit e vëllezërit, të njëjtit nuk pranojnë në asnjë mënyrë që të flasin për veprimtarinë e familjarit të tij ndërsa sjelljet në shkollë i ka identifikuar për dokumentarin e ‘KallxoPernime’, profesori i sociologjisë i cili në vitet 2006-2007 kur Lavdrimi ishte maturant në Gjimnazin “Skënderbeu” në Kaçanik, e kishte nxënës.

Profesori Fevzi Bunjaku, rrëfen se në kohën sa i kishte dhënë mësim Lavdrim Muhaxherit, ky i fundit nuk ka shprehur ndonjë sjellje jashtë normales e cila mund të identifikohej më pas me veprimtarinë që kishte zhvilluar në Siri e Irak.

“Zakonisht në orën time rrinte mbrapa. Më së shumti i ka kushtuar rëndësi gjuhës angleze, ka qenë tip që nuk më ka penguar, por ka pasur ndoshta ndonjë profesor që është ankuar që nuk ka qenë mjaft i disiplinuar, përndryshe unë nuk kam pasur ndonjë problem me të”, rrëfen Bunjaku.

Ai shton se lënda të cilën ligjëron prek edhe fetë, religjionin por nuk ka hasur ndonjëherë në ndonjë debat që është nxitur nga ish- nxënësi i tij.

“Tema e religjionit në shkollë nxënësit zakonisht nxjerrin debat, debatohet, tregojnë mendimet e tyre sepse dihet që tani një pjesë e madhe e të rinjve e praktikojnë religjionin. Feja këtu (në Kaçanik) ka filluar të praktikohet është fakt, nga të rinjtë, shohim që një pjesë e madhe kryejnë rituale fetare nëpër institucione fetare siç është xhamia mirëpo nuk ka diçka që mund të themi se po keqpërdoret feja apo religjioni”, vazhdon të tregoj Bunjaku.

Nga mesi i vitit 2017, Lavdrim Muhaxheri u raportua i vrarë. Ai ishte lider i vet-shpallur terrorist nga radhët e ISIS-it.

Muhaxheri konsiderohej si komandant i shqiptarëve që luftonin nën flamurin e organizatës terroriste ISIS në Siri e Irak.

Në po të njëjtin vit kur u raportua për vdekjen e Lavdrim Muhxaherit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte dorëzuar aktakuzën ndaj grupit prej nëntë personave të cilët pretendohet se planifikuan të sulmonin kombëtaren e Izraelit gjatë ndeshjes me Shqipërinë. Prokuroria pretendon se grupi i udhëzuar nga Lavdrim Muhaxheri kishte planifikuar blerjen e armëve e po ashtu kishin arritur të ndërtonin të paktën një bombë artizanale në Kosovë.

Prokuroria pretendon se ka fakte se Lavdrim Muhaxheri përmes kontakteve të rregullta me të pandehurin V.I., i ka bërë thirrje që ta kryejë sulmin terrorist kundër lojtarëve dhe tifozëve nga Izraeli të cilët duhej të vinin në Shqipëri, në qytetin e Shkodrës, nëntorin e 2016-ës. Prokuroria pretendon se komunikimi ishte kryer duke përdorur një aplikacion të internetit i cili supozohet se ishte i padëgjueshëm.

Në vitin 2017, emisioni “Drejtësia në Kosovë” solli edhe pjesë nga hulumtimi rreth vrasjes së liderit të vetëshpallur terrorist Lavdrim Muhaxheri për nderimet që i ishin bërë atij nga të afërmit në qytetin e Kaçanikut pas vrasjes së tij.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë