Anësori kosovar, Milot Rashica debutoi si startues sonte në Superligën e Turqisë me Galatasaray në ndeshjen kundër Alanyaspor. Ai luajti për 71 minuta për t’u zëvendësuar pastaj me mesfushorin, Fredrik Midtsjo, transmeton Gazeta Metro.
Rashica në këtë ballafaqim vinte pas dy golave që realizoi të mërkurën në Kupën e Turqisë dhe gjatë gjithë javës ishte raportuar nga mediumet turke se do të luajë nga minuta e parë.
Sonte 26-vjeçari bëri paraqitje relativisht të mirë dhe nga dy faqe të njohura si SofaScore dhe FotMob u vlerësua me notën 6.6, respektivisht 6.9.
Ai mund të linte gjurmë shumë lehtë me një asistim kur në minutën e 24’të pasoi për mrekulli te qendërsulmuesi, Mauro Icardi, i cili arriti të shënoi por goli u anulua nga VAR për pozitë jashtë loje.
Në krahun e djathtë shpesh herë Rashica krijonte jo pak probleme për mbrojtjen kundërshtare. Mirëpo, në pjesën e dytë me ritmin e ekipit ra paksa edhe niveli i lojës së tij.
Ai bëri 38 prekje të topit, 18 pasime në 13 raste i saktë kurse u faulua dy herë. Ndërkaq, në duelet në fushë nuk pati shumë sukses duke fituar vetëm katër nga 11 të tilla.
Në anën tjetër ndeshja për Galatasaray nuk shkoi në mënyrën më të mirë të mundshme sepse gjiganti turk vetëm në fund të takimit pranoi golin e barazimit (2-2).
Me këtë barazim tani skuadra e drejtuar nga Okan Buruk radhitet në pozitën e tetë në tabelë me 18 pikë dhe ndeshjen e radhës do ta luajë kundër Karagumruk më 28 tetor. /gazetametro.net
VAR mohoi gjithçka: Asistim shumë i bukur nga Rashica te Icardi