Loading…

Mini Shengen Ballkanik: Kjo është deklarata e përbashkët e Ramës, Vucicit dhe Zaevit

  • 10/10/2019 | 17:27

Mini Shengen Ballkanik: Kjo është deklarata e përbashkët e Ramës, Vucicit dhe Zaevit

Një dokument i përbashkët është arritur që të nënshkruhet nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia që ka për qëllim lehtësimin e njerëzve dhe mallrave, transmeton Gazeta Metro.

Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kanë arritur në një dokument të përbashkët ta nënshkruajnë

Grupi KOHA ka siguruar deklaratën e përbashkët të tre krerëve të shtetit.

Presidenti Aleksandar Vuçiq theksoi se synimi është që qytetarët e Serbisë dhe Shqipërisë të kalojnë kufirin vetëm me kartë identiteti dhe kjo pritet të arrihet deri në vitin 2021.

Ndërkohë, takimi i radhës midis tre shteteve do të zhvillohet më 10 nëntor, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe një muaj më pas liderët do të mblidhen në Shqipëri.

Kosova është shprehur kundër kësaj nisme, me arsyetimin se ajo synon rikthimin e ish-Jugosllavisë, që prodhoi aq tragjedi në Ballkan.

Më poshtë është deklarata e plotë e përbashkët e tre krerëve të shteteve:

Deklaratë e përbashkët nga presidenti i Republikës së Serbisë, kryeministri i Republikës së Shqipërisë dhe kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut për “ZBATIMIN E KATËR LIRIVE TË BASHKIMIT EUROPIAN NË BALLKANIN PERËNDIMOR”

Ne, të vetëdijshëm për përgjegjësinë për të formuar fatet e vendeve tona, angazhohemi të forcojmë paqen, barazinë, shtetin e së drejtës dhe prosperitetin për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm në Europën Juglindore.

duke njohur rëndësinë e perspektivës sonë të përbashkët të pranimit në BE dhe angazhimin e plotë për mbështetje, respekt dhe ndihmë të ndërsjellë në rrugën europiane,

Ne ftojmë liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor të na bashkohen në këtë përpjekje.

duke shprehur gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin rajonal, për të gjeneruar rritje ekonomike, për të ulur papunësinë, për të luftuar migracionin e paligjshëm, për të luftuar krimin e organizuar ndërkombëtar dhe për të përmirësuar mirëqenien sociale të qytetarëve tanë si dhe për të rritur tregtinë, investimet dhe punësimin në zonën e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor,

duke marrë parasysh procesin e krijimit të Zonës Ekonomike Rajonale (REA) në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor siç parashikohet nga “Plani Shumëvjeçar i Veprimit”, i miratuar në Samitin e Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, në Trieste, në korrik 2017, si pjesë e Procesit të Berlinit,

duke përsëritur angazhimin për të realizuar Zonën Ekonomike Rajonale në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor bazuar në gjithëpërfshirjen dhe në parimet e BE-së për “Katër Liritë”: lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit,

duke u bazuar në angazhimet e bëra nga vendet e rajonit përfshirë gjithashtu CEFTA, OBT si dhe Marrëveshjen e OBT-së për Lehtësimin e Tregtisë, MAP REA e të tjerë,

duke rikonfirmuar angazhimin tonë ndaj Planit Shumëvjecar të Veprimit (MAP), ne mirëpresim progresin që është arritur deri tani në katër shtylla, në tregti, investime, lëvizshmëri dhe integrimin dixhital,

duke marrë parasysh dhe kërkuar përshpejtimin e zbatimit të “Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit midis komuniteteve europiane dhe shteteve të tyre anëtare dhe Republikës së Serbisë”, “Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit midis komuniteteve europiane dhe shteteve të tyre anëtare dhe Republikës së Shqipërisë” dhe “Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit midis komuniteteve europiane dhe shteteve anëtare të tyre dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, dhe angazhimet tona të pasqyruara në strategjinë e BE-së të shkurtit 2018 “Një perspektivë e besueshme e zgjerimit për një angazhim të shtuar të BE-së me Ballkanin Perëndimor”

Si më poshtë vijon ne bëjmë me dije qëllimin tonë për të thelluar Zonën Rajonale Ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

Që nga Samiti i Selanikut (2003), procesi i bashkëpunimit rajonal u pa si një instrument i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Me fillimin e Procesit të Berlinit (2014) dhe Samitit të Triestes (2017), koncepti i bashkëpunimit rajonal u ngrit në një nivel më të lartë duke futur masa konkrete si në fushat e infrastrukturës, tregtisë, investimeve, lëvizjes dhe dixhitalizmit. Projekti i ndërtimit të një tregu të përbashkët dhe i një rajoni të integruar u reflektua edhe më vonë në Strategjinë e BE-së, në shkurt 2018, “Një perspektivë e besueshme e zgjerimit për një angazhim të shtuar të BE-së me Ballkanin Perëndimor”. Kjo përpjekje konsiderohet gjerësisht si thelbësore në krijimin e mundësive të reja të zhvillimit dhe rritjen e kapaciteteve të gjenerimit të niveleve më të larta të rritjes në rajon.

BE ka qenë shtytësja kryesore e transformimit të të gjithë rajonit, të paktën, që nga koha kur u premtua ky zgjerim. Në pritje të anëtarësimit në BE, vetë rajoni kërkon menjëherë një shtytje të konsiderueshme të rritjes. Prandaj, liderët e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë më shumë të angazhuar në nxitjen e potencialit të zhvillimit që është akoma i pashfrytëzuar në Ballkan.

Është e nevojshme një qasje më aktive dhe krijuese ndaj qarkullimit të mallrave dhe kapitalit, lëvizjes së njerëzve dhe bashkëpunimit ndërkufitar, integrimit të shërbimeve dhe punës. Drejtuesit e rajonit duhet të marrin përgjegjësinë për të formuar të ardhmen e rajonit dhe të bëjnë politika që synojnë të sigurojnë lëvizjen e lirë të kapitaleve njerëzore dhe materiale. Kjo është thelbësore jo vetëm për ta bërë rajonin më të integruar, por edhe në nxitjen e zhvillimit të përgjithshëm në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Procesi i integrimit evropian kalon nëpërmjet procesit të bashkëpunimit rajonal.

Të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor kërkojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian. Pavarësisht kësaj, boshllëqet strukturore midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor mbeten të konsiderueshme. PBB-ja, me çmimet e tregut, në 28 vendet e BE-së është më shumë se 100 herë më e madhe se ajo e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që në vitin 2018 arriti në rreth 108 miliardë euro, ndërsa niveli mesatar i papunësisë në BE, për të njëjtin vit, është pothuajse tri herë më i ulët se ajo e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo tregon se liderët e Ballkanit Perëndimor përballen me një nevojë urgjente për të trajtuar këtë çekuilibër strukturor, që shumë lehtë mund të shndërrohet në pengesë për t’u anëtarësuar në BE në plan afatgjatë. Për më tepër, çështjet e pazgjidhura brenda Ballkanit Perëndimor Gjashtë po pengojnë zhvillimin ekonomik dhe ulin cilësinë e jetës së qytetarëve të saj.

Deri tani, procesi i bashkëpunimit rajonal ka treguar përfitime konkrete për njerëzit e Ballkanit Perëndimor. Që nga viti 2010, më shumë se 600 000 vende pune u shtuan në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor dhe më shumë se 500 000 punëtorë me arsim të lartë hynë në forcën e punës. Kjo kontribuoi në një ecuri më të fortë të eksporteve, në një konkurrencë më të madhe dhe në një prani më të gjerë në tregjet ndërkombëtare. Procesi i bashkëpunimit rajonal siç parashikohet në kuadrin e Planit Shumëvjetor për Zonën Ekonomike Rajonale do të forcojë gjithashtu këto tendenca pozitive.

Liderët e Ballkanit Perendimor duhet të veprojnë sipas situatës së re politike dhe ekonomike në rajon. Pjesa më e madhe e qytetarëve të Ballkanit Perendimor besojnë se bashkëpunimi rajonal mund të kontribuojë në mënyrë pozitive në ekonomitë e tyre. Drejtuesit e kompanive shprehen të shqetësuar për kufizimet burokratike, që pengojnë zgjerimin në tregjet rajonale. Janë të nevojshme angazhime politike më të forta për të krijuar kushtet e duhura që të arrihen nivele më të larta e më të qëndrueshme në rritjen ekonomike.

Lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, kapitaleve dhe e punës anëmbanë rajonit është mënyra më e mirë që një rajon i vogël të ketë rritje në një ekonomi të globalizuar dhe vazhdimisht në ndryshim. Kjo përpjekje do të bashkojë rreth 20 milionë njerëz në një treg të përbashkët dhe të unifikuar duke përmirësuar standardet e jetesës në të gjithë rajonin, duke siguruar mundësi për qytetarët tanë dhe duke e përgatitur të gjithë rajonin për anëtarësimin e ardhshëm në BE. Ky projekt frymëzohet nga modele tashmë ekzistuese dhe të suksesshme të rajoneve pa kufij si Benelux dhe Rajoni Nordik. Qëllimi përfundimtar i kësaj përpjekjeje është që të imitohen disa nga praktikat më të mira, që do t’i jepnin fund pengesave doganore në kufijtë tanë dhe që do të siguronte lëvizjen e lirë të personave, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.

Si hap i parë, ne angazhohemi të eliminojmë kontrollet kufitare dhe pengesat e tjera të lëvizjes së lirë brenda rajonit, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe jo më larg se viti 2021.

Sipas Bankës Botërore, kamionët harxhojnë afërsisht 26 milionë orë në vit në pikat e kalimit kufitar brenda Ballkanit Perendimor. Kjo lë vend për përmirësim të konsiderueshëm të qasjeve tona aktuale, që i bëjnë ekonomitë tona më të ngadalta dhe më të shtrenjta nga sa kërkohet për të konkurruar në ekonominë globale.

Njerëzit do të jenë në gjendje që të udhëtojnë në rajon me një kartë identiteti të vlefshme. Do të jenë në gjendje që të punojnë kudo në rajon, sapo të kualifikohen për një vend pune. Diplomat do të njihet në gjithë rajonin. Ne do të shtojmë bashkëpunimin kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe zotohemi të ndihmojmë njëri-tjetrin duke iu përgjigjur urgjencave të tilla si katastrofat natyrore.

Kjo është një iniciativë e guximshme dhe ne do të punojmë për arritur rezultate dhe solidaritet praktik, që qytetarët tanë të kenë përfitime.

Për këtë qëllim, ne do të takohemi sërish në Ohër, më 10 nëntor…/gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë