Kohëve të fundit, Franca ka reaguar ashpër ndaj disa shteteve për shkak të veprimeve të tyre. Pjesë e mosmarrëveshjeve me këtë vend ishin Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Australia e Polonia. Një zyrtar i lartë australian e një biznesmen britanikë besojnë se e dinë “diagnozën” e nervozizmit të Francës.
Ministri australian i Mbrojtjes, Peter Dutton, ka thënë se shfaqja e vazhdueshme e zemërimit nga presidenti francez, Emmanuel Macron, mund të jetë e lidhur me zgjedhjet në Francë, të cilat do të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.
Dutton tha të premten në mëngjes se qeveria e tij e kupton zemërimin e Macronit, por gjithashtu sugjeroi se presidenti francez mund të jetë duke luajtur me çështjet e ndjeshme politike brenda vendit, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
“Shikoni, mos harroni, gjithashtu, që Franca ka zgjedhje në prill të vitit të ardhshëm. Prandaj, politikanët dhe zgjedhjet gjithmonë përbëjnë një përzierje interesante. Mendoj se posa ta kalojmë këtë vitin e ardhshëm, kam shpresë se mund të vazhdojmë me hapat për normalizimin e marrëdhënieve, por kjo është situata për momentin”, tha ai.
Franca ka thënë se është tradhtuar, ka marrë thikë në shpinë dhe është mashtruar me vendimin e Australisë për t’u tërhequr nga marrëveshja për prodhimin e nëndetëseve franceze. Vlera e marrëveshjes arrinte deri në 90 miliardë dollarë australianë.
Ministri australian nuk është i vetmi që mendon se Macroni po i jep zor për shkak të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Barrie Deas, kryetar i Federatës Kombëtare të Organizatave të Peshkatarëve në Britaninë e Madhe, thotë se Franca duket se është e vendosur për ta eskaluar mosmarrëveshjen për lejet e peshkimit me Mbretërinë e Bashkuara para zgjedhjeve presidenciale, kur Presidenti Macron pritet të synojë një mandat të ri në prill.