Borge Brende, ministër i punëve të Jashtme të Norvegjisë ka thënë se ai ndan plotësisht pikëpamjet me NATO’n, BE’në dhe SHBA’të të cilat i kanë kërkuar Kosovës të mos fillojë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri, pa ndryshimet e nevojshme kushtetuese.
Ministri norvegjez, sipas mediave serbe u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga transformimi i FSK’së në ushtri pa një ndryshim të Kushtetutës, thuhet në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të Ambasadës së Norvegjisë në Beograd, përcjellë gazetametro.net.
Brende tha se stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal është parakusht për integrim më të mirë dhe se Norvegjia mbështet plotësisht normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.
Në anën tjetër, Sanes Arne Bjornstad, i cili është ambasador i Norvegjisë në Beograd tha se “Norvegjia përsëri i bën thirrje të gjitha vendeve të rajonit t’i përmbahen angazhimeve nga veprimet që rrisin tensionin në rajon.”
Ministri Brende shtoi se Serbia është bërë shtyllë e stabilitetit në rajon dhe se e ka përkrahjen e fortë të shtetit norvegjez. /gazetametro.net