Nuk ka prodhues serb, i cili mund të jetë konkurrent me kaq taksa, ka thënë Rasim Ljajic
Ministri i tregtisë i Serbisë, Rasim Ljajic vendimin e qeverisë së Kosovë për taksën doganore 100 për qind në mallrat e Serbisë e ka vlerësuar si “pengim i tregtisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ‘qendrore’, transmeton gazetametro.net.
Sipas Ljajicit, shkak për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës është votimi i djeshëm në Interpol dhe fakti se bashkësia ndërkombëtare nuk ka reaguar me kohë e ashpër ndaj barrierës ‘jashtëdoganore’ të vënë më herët nga Kosova.
“Pasojat janë kolosale. Kjo do të thotë definitivisht ndalim i çdo lloj tregtie ndërmjet Serbisë qendrore e Kosovës”, ka thënë ai, duke e theksuar “Serbisë qendrore”, sikur Kosova është vetëm pjesa jugore e saj.
Ai ka thënë se nuk ka prodhues serb, i cili mund të jetë konkurrent me kaq taksa.
Ai ka shtuar se vitin e kaluar nga Serbia në Kosovë është plasuar mall me vlerë 440 milionë euro, ndërsa kanë blerë mall nga Kosova në vlerë prej 21 milionë eurosh dhe se sivjet ka pasur rritje prej rreth 9 për qind, kështu që pasojat do të jenë kolosale.
Ljajic e ka quajtur taksë “pas ekseland politike” dhe ka shtuar se nga bashkësia ndërkomëbtare nuk pret reagim tjetër “pos që taksat të tërhiqen”./gazetametro.net