Loading…

Ministri thotë: Vendet e BE-së frikësohen që të punësojnë kosovarët

  • 23/04/2018 | 19:50

Ministri thotë: Vendet e BE-së frikësohen që të punësojnë kosovarët

Vendet e Bashkimit Europian frikësohen të punësojnë kosovarë sipas ministri të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica. Ai ka thënë se BE po frikësohet nga qytetarët e Kosovës se nuk do t’i zbatojnë marrëveshjet për punësim sezonal dhe do të tentojnë të mbesin në vendet e BE-së për të mos u kthyer në Kosovë.


Ministri Reçica tha se Kosova është afër që të arrijë marrëveshje me disa shtete të Bashkimit Evropian për punësim sezonal. Sipas tij, ka disa arsye pse po shkaktohen ngecje në këtë proces, raporton gazetametro.net.

“Deri tash nuk ka zyrtarisht marrëveshje me asnjë shtet për punësim sezonal. Jemi në negociata me disa shtete të BE-së. Shumë shtete të BE-së kanë krijuar lehtësira dhe mundësi për qytetarët tanë, që nëse kanë mundësi të bëjnë marrëveshje pune, të pajisen më lehtë me viza. Nuk është e lehtë të bëhet marrëveshja për punësim sezonal. Një nga ato arsye është droja e moskthimit të qytetarëve, moszbatimit të marrëveshjes. Jemi në rrugë të mbarë për të zyrtarizuar diçka të tillë. Jemi duke punuar me Gjermaninë, me Kroacinë, me disa shtete të Bashkimit Evropian”, ka thënë Reçica.

Reçica ka folur edhe për sigurinë në punë duke thënë se ka nisur më herët një fushatë vetëdijesimi, në mënyrë që të parandalohen dëmtimet e mundshme. Ai ka thënë se punonjësit dhe punëdhënësit janë njoftuar se nëse nuk përmirësojnë kushtet në punë, do të merren masa.

“E kemi nisur më herët këtë fushatë për arsye se duam që para fillimit të vlugut të madh të punës të jenë të përgatitur punëtorët dhe punëdhënësit për rreziqet, sidomos te sektori i ndërtimtarisë. Kemi nisur të premten nga Prishtina. I kemi informuar për aktet nënligjore të pasuruara me direktivat e BE-së. Duhet të kenë më shumë kujdes për masat që duhet të ndërmerren për sigurinë dhe shëndetin në punë. Mos të merremi me dëme, por të parandalojmë. Nuk guxon një punonjës të rrijë në punë pa masat e sigurisë, të ketë helmetë, apo të punojë në një ambient ku nuk ka rrethojë sigurie, qoftë për të, por edhe për qytetarët tjerë”, ka thënë Reçica.

Ai ka deklaruar se ka kërkuar nga inspektorati që të jenë më shumë vigjilentë dhe të jenë më aktivë në marrjen e masave për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Sa i përket kategorisë së veteranëve, Reçica është zotuar se si ministri kanë siguruar mjetet e nevojshme për t’i kryer pagesat. Ai është deklaruar edhe për kategorinë e viktimave të dhunës në luftë. Ka treguar se deri tash janë pranuar 400 aplikacione, dhe se komisioni qeveritar tashmë ka proceduar rastet e para./gazetametro.net.

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë