Loading…

Ministria e Infrastrukturës me vonesë kërkon që të merren masa disiplinore ndaj Nexhat Krasniqit

  • 21/11/2023 | 17:41

Ministria e Infrastrukturës me vonesë kërkon që të merren masa disiplinore ndaj Nexhat Krasniqit

Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu ka thënë se ka kërkuar të merren masa disiplinore ndaj Nexhat Krasniqit, ish-shefit të Prokurimit në këtë ministri, i cili u sanksionua nga ShBA, transmeton Gazeta Metro.


“Përmes zv. Sekretarit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, dje rreth orës 13:00, kemi dorëzuar tek Komisioni Disiplinor i Ministrisë, kërkesën për marrjen e masave disiplinore ndaj nëpunësit civil, Nexhat Krasniqi”, ka shkruar Aliu.

Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë të ditur më 3 nëntor se ka vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh.

Sipas njoftimit, atij do t’i ndalohet hyrja në SHBA.

“Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”, u tha në njoftim.

Sipas DASH-it, veprimet e sotme të SHBA-së dëshmojnë se Uashingtoni qëndron me ata në Kosovë që kërkojnë përgjegjësi nga zyrtarët e korruptuar publikë.

“Ky vendim riafrimon përkushtimin e SHBA-së për luftimin e korrupsionit që dëmton interesat publike, pengon prosperitetin ekonomik të shteteve dhe zvogëlon aftësitë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të shtetasve të tyre”.

Krasniqi pas vendimit të Departamentit të Shtetit të ShBA-së për sanksionim është pezulluar nga nga pozita e Shefit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.

Nexhat Krasniqi,ka reaguar pas kritikave të shumta kur u emërua përkohësisht si drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore në të njëjtën ministri.

Krasniqi thotë se në Kosovë nuk është dënuar asnjëherë për korrupsion apo marrje të ryshfetit.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë