Me 110 mijë euro është dënuar KEDS, pas verifikimit të njehsorëve me probleme, përcjell Gazeta Metro.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës, nga kontrollet e realizuara janë identifikuar 18 njehsorë me afat të skaduar validiteti, dy njehsorë me miratim tipi të tërhequr dhe 30 njehsorë me pasaktësi në datë dhe orë.
“Bazuar në gjetjet e evidentuara dhe në përputhje me Ligjin për Metrologjinë, Inspektorati Qendror i Tregut ka shqiptuar ndaj KEDS-it gjoba në vlerë prej 110,000 euro. Ndërkohë, raportet zyrtare të verifikimit janë dorëzuar edhe te KESCO, me qëllim të kompensimit të konsumatorëve të dëmtuar. Procesi i verifikimit të njehsorëve do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, deri në trajtimin dhe shqyrtimin e plotë të të gjitha ankesave të paraqitura në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit”, thuhet në njoftim.