Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) njoftoi të enjten se ka intensifikuar kontrollet mbi njehsorët elektrikë pas krijimit të një komisioni ad hoc për verifikim të ankesave të konsumatorëve, transmeton Gazeta Metro
Sipas MINTI janë konstatuar devijime në kohë dhe datë, ndërsa matja e energjisë elektrike rezulton e saktë dhe bllombat e njehsorëve të paprekura:
“Pas verifikimit laboratorik në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës të njehsorëve të parë janë konstatuar këto gjetje kryesore:
• Është vërtetuar se njehsorët kanë qenë me afat të skaduar të vlefshmërisë;
• Janë evidentuar devijime në datë prej rreth 2–3 ditësh krahasuar me kohën reale;
• Gjithashtu është konstatuar se ekzistojnë devijime prej rreth 10–11 orësh krahasuar me kohën reale;
• Matja e energjisë elektrike ka rezultuar të jetë në rregull dhe pa ndikim në saktësinë e konsumit të regjistruar;
• Është konstatuar se bllombat kanë qenë të paprekura dhe pa dëmtime.”
MINTI tutje zotohet se raportin e gjetjeve të inspektimeve do ta procedojë dhe do të kërkojë nga ZRrE marrjen e masave ndëshkuese konfrom kompetencave juridike të autoriteteve përkatëse.
“Me të marrë raportin e gjetjeve, MINTI do të kërkojë zyrtarisht nga ZRRE (Zyra e Rregullatorit të Energjisë) marrjen e masave konform devijimeve të konstatuara. Ndërsa, duke u bazuar në Ligjin nr. 06/L-037, neni 23, paragrafët 4 dhe 5, si dhe neni 46, paragrafi 1.3, nënparagrafi 1.3.2, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) do të shqiptojë gjoba ndëshkimore ndaj KEDS-it, si pronar dhe shfrytëzues i njehsorëve, për çdo gjetje që lidhet me afatin e skaduar të vlefshmërisë së njehsorëve.”
Në komunikatën e MINTI theksohet se kanë pranuar 209 ankesa brenda dy ditëve të fundit rreth kësaj çështje./gazetametro.net