Inxhinierja me origjinë shqiptare, Mira Murati, është përfshirë nga revista prestigjioze TIME në mesin e 100 personaliteteve që po ndikojnë në zhvillimin dhe transformimin e Inteligjencës Artificiale në nivel global.
Murati nuk është vetëm pjesë e listës TIME100 AI, por është shfaqur edhe në kopertinën globale të saj, përkrah emrave të fuqishëm të industrisë së teknologjisë, mes tyre Sam Altman, Elon Musk, Jeff Bezos, Larry Ellison dhe Ilya Sutskever.
Vlerësimi vjen pas rolit të saj të rëndësishëm në OpenAI, ku ka qenë një nga figurat kryesore teknologjike gjatë zhvillimit të kompanisë dhe produkteve të saj.
TIME e ka ndarë listën e këtij viti në katër kategori: Liderë, Inovatorë, Formësues dhe Mendimtarë. Në të janë përfshirë jo vetëm figura të teknologjisë, por edhe sipërmarrës, politikëbërës, artistë dhe personalitete kreative.
Sipas kryeredaktorit të TIME, Sam Jacobs, sektori i AI-së po kalon një periudhë të shpejtë zhvillimi, por njëkohësisht edhe përplasjesh të mëdha ekonomike e gjeopolitike. Prania e figurave të shumta nga Kina në listë pasqyron edhe garën mes SHBA-së dhe Kinës për epërsinë në teknologjitë e së ardhmes.
Për Muratin, kjo është një tjetër njohje ndërkombëtare që e forcon profilin e saj si një nga figurat shqiptare më të spikatura në industrinë globale të teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale.