Sulmuesi kosovar, Mirlind Daku, duket se me një postim në Facebook ka reaguar pas publikimit të listës së të ftuarve nga Kombëtarja e Kosovës për dy ndeshjet e para të kualifikimeve për Kampionatin Europian 2024, transmeton Gazeta Metro.
Ai menjëherë pasi u mësuan 26 futbollistët e ftuar nga përzgjedhësi, Alain Giresse, bëri një postim siç duket ironizues.
Sulmuesi që po shkëlqen me skuadrën e Mura’s në Slloveni ka postuar dy ’emoji’, megjithatë nuk ka shkruar asgjë.
Daku nuk është në mesin e të ftuarve nga selektori francez.
Kujtojmë se muajin e kaluar ishte raportuar që Daku ka arritur marrëveshje me Federatën e Futbollit të Shqipërisë për ta përfaqësuar Shqipërinë në të ardhmen. Por, kjo nuk është konfirmuar asnjëherë nga futbollisti.
Ndryshe, ish-sulmuesi i Ballkanit është golashënuesi më i mirë në Superligën e Sllovenisë me 14 gola në 28 paraqitje, teksa ka dhuruar edhe një asistim.
25-vjeçari kishte qenë pjesë e grupmoshës U21 të Kosovës, ndërsa debutimin me kombëtaren A të ‘Dardanëve’, e kishte bërë në nëntor të vitit 2020. /gazetametro.net
Kualifikimet për Euro 2024: Kosova publikon listën për dy ndeshjet e marsit