Loading…

Mishi i prishur, shtohen mostrat që dërgohen për analiza

  • 08/04/2018 | 13:01

Mishi i prishur, shtohen mostrat që dërgohen për analiza

Sipas drejtoreshës së Qendrës së Laboratorëve Testues Drita Zogaj, kohëve të fundit janë shtuar mostrat e mishit që shkojnë për analiza në këta laboratorë.


Zogaj që foli për KALLXO.com tha se nga viti 2012 ka pasur rënie të dërgimit të mostrave në këtë qendër, por në tre muajt e fundit këto mostra janë shtuar.

Zogaj tregoi se në tre muajt e fundit në Qendrën e Laboratorëve Testues që funksionon në kuadër  të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë dërguar 113 mostra ushqimesh, 38 prej tyre nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Në Qendrën e Laboratorëve në këtë kohë kanë ardhur më shumë mostra të mishit.

“21 mostra ushqimore të AUV-it janë produkte të mishit”, tregoi Zogaj.

Në mars shpërtheu skandali i mishit nga Belgjika kur në këtë shtet një kompani që kishte importuar mish edhe në Kosovë u mbyll për shkak të kushteve johigjienike të mbajtjes së mishit,

Njërit prej importuesve të këtij mishi në Kosovë i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh.

Nëpër komunat kosovare pas këtij skandali janë sekuestruar sasi të shumta të mishit të mbajtura nën standardet e kërkuara për këtë produkt.

E pyetur se çfarë kërkohet më së shpeshti nga analiza e mostrave të mishit, drejtoresha Zogaj tha se më shumti kërkohet që të vërtetohet nëse ky mish është i freskët,

“Kur jemi te mishi zakonisht kërkohet aspekti kualitativ, i nutricioneve, që nënkupton përbërjen. Pra se a është i freskët dhe sa ka përqindje të ujit dhe nëse është sallam”, tha ajo.

Ajo bëri të ditur se Qendra e Laboratërëve Testues mund të analizojë 50 parametra, por sipas saj inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës shpesh kërkojnë vetëm një apo dy parametra.

“Gjithmonë varet se çfarë kërkohet prej analizës…Inspektori i AUV-it mund të kërkojë nga analiza krejt ç’të dojë, por varësisht prej asaj kërkohet njëfarë rutine. Kërkohet analiza mikrobiologjike dhe diçka e thjeshtë nga analiza kimike që flet për kualitet, por jo për siguri”, shpjegoi Zogaj për KALLXO.com.

Ajo deklaroi se nuk duhet shikuar vetëm parametrat e cilësisë, por edhe ato të sigurisë së ushqimeve.

“Unë mendoj që duhet të kalojmë në sigurinë ushqimore shumë më shumë ku parametrat që analizohen janë shumë më të shumta”, tha profesoresha Zogaj.

Konstatoi  se ka analiza të rëndësishme të cilat nuk kërkohen nga ata që dërgojnë mostrat në laboratërë.

“Te mishi ka antibiotikë, janë hormonet, disa nga konservuesit siç janë nitritet e nitratet që përdoren në pashteta që janë të dëmshme, Antibiotikët, hormonet në ushqim, mykotoksinat, origjina e mishit (cilës kafshë apo cilave kafshë u takon ai) mund të analizohen. Nuk kemi asnjë kërkesë për analizë”, tha Zogaj për KALLXO.com.

Drejtoresha e Qendrës së Laboratorëve Testues Gjetja e viruseve dhe e GMO (Organizmave Gjenetikisht të Modifikuar) pritet t’i shtohen listës 5-faqëshe të analizave ushqimore që mund t’i bëjnë laboratorët e qendrës.

Zogaj tha se me hulumtimin e viruseve pritet të fillohet në fund të vitit, ndërsa me organizma gjenetikisht të modifikuar në muajin maj.

Përveç kësaj, Zogaj i tregoi KALLXO.com se ka raste kur mostrat e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës kthehen mbrapsht, apo marrin vërejtje.

“Në qoftë se nuk ka sasi të mjaftueshme të mostrës e kthejmë, ose nëse insistimi i tyre është që (analiza të bëhet) me aq sa ka, e shkruajmë në fund një vërejtje që sasia e mostrës ka qenë e mjaftueshme vetëm për 2 parametra”, tha ajo.

KALLXO.com e ka pyetur Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës rreth numrit të parametrave që kërkohen në mostrat që dërgojnë në laboratorë, për planin dhe kuotën e marrjes së mostrave, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë