Loading…

Misioni i vëzhgimit të BE’së: Kosova shembull i demokracisë për gjithë rajonin

  • 19/10/2021 | 12:20

Misioni i vëzhgimit të BE’së: Kosova shembull i demokracisë për gjithë rajonin

Misioni i vëzhgimit të BE-së po vlerëson se Kosova është shndërruar në shembull të demokracisë për gjithë rajonin, por që kritika pati për Listën Serbe, për të cilën u tha që kjo e fundit ka monopolizuar jetën e serbëve në Kosovë, madje duke kërcënuar votuesit.


Në një konferencë për media të mbajtur nga Misioni i vëzhgimit të BE-së u tha po ashtu se procesi zgjedhor është organizuar mirë me disa mangësi të identifikuara edhe më herët, siç është kuadri ligjor ndër të cilat është edhe financimi i partive politike.

Shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE, njëherësh anëtar i Lukas Mandl, tha se Ditën e zgjedhjeve vëzhguesit e BE-së kanë vizituar gati 400 vende të votimit, dhe se votimi ka qenë i qetë dhe i rregullt. Derisa u tregua kritik për Listën Serbe.

Ai tha se ka pasur një numër rastesh të votimit të asistuar dhe rregullave për pranimin e letërnjoftimeve të skaduara, teksa shtoi se edhe numërimi i fletëvotime ka marr vlerësime pak më të ulëta për shkak të disa mungesave të konsistencës në mënyrën se si procedurat janë ndjekur.

“Procesi zgjedhor është ende në vazhdim e sipër dhe procesi i numërimit është duke vazhduar ende. Prandaj, konkluzionet tona janë preliminare. Zgjedhjet e 17 tetorit kanë qenë të organizuara mirë, për fat të keq gratë kanë qenë të nënpërfaqësuara. Mediat kanë kontribuar për t’i informuar votuesit. Administrimi transparent i zgjedhjeve ka bërë që procedurat të kryhen brenda afateve zgjedhore. Kuadri ligjor ka ofruar një bazë por disa mangësi ende nuk janë trajtuar si duhet. Për më tepër procesi i regjistrimit të kandidatëve ende… Saktësia e listave është përmirësuar. Lista Serbe ka monopolizuar jetën e serbëve të Kosovës dhe siç kanë treguar disa bashkëbisedues ka pasur kërcënime nga Lista Serbe. Mjedisi i mediave është i gjallë dhe pluralist. Por, KPM nuk ka qenë efektiv aq sa duhet”, tha ai.

Udhëheqësja e Delegacionit të Anëtarëve të Parlamentit Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, tha se Kosova është shembull për rajonin sa i përket demokracisë teksa kritike u tregua për Listën Serbe, për të cilën tha se ka ngushtuar hapësirën dhe ka ushtruar presion gjatë fushatës.

Ajo theksoi se ka pasur kërcënime nga Lista Serbe për t’i shtyrë serbët që të votojnë për këtë subjekt politik.

“Ekipet tona janë vendosur në rajonin e Prishtinës, të Prizrenit dhe në disa komuna të veriut të Kosovës. Fushata zgjedhore ka qenë konkurruese dhe pa incidente madhore. Përkundër sfidave me pandeminë, KQZ ka arritur që në mënyrë efikase të zbatojë procedurat zgjedhore. Demokracia lokale është në themel të demokracisë, vëzhgimi i këtyre zgjedhjeve na ka bërë të kuptojmë… Këto zgjedhje kanë dëshmuar se Kosova është një demokraci e vërtetë. Përkundër konkurrencës zgjedhore, partitë politike, me disa përjashtime, kanë respektuar njëra tjetrën. Dua t’i përgëzoj të gjithë për sjellje të matur. Sot, Kosova më shumë se kurrë është shembull i demokracisë për rajonin. Por, është për fat të keq që disa mangësi sistematike nuk janë evituar ende. Një nga to është ngushtimi i hapësirës politike për serbët. Lista Serbe ka dominuar dhe nuk u ka lënë hapësirë partive tjera serbe. Shumica e bashkëbiseduesve kanë thënë se kuadri ligjor duhet të ndryshohet për përmirësimin e financimit të fushatave nga niveli lokal, gjë që ulë korrupsionin. Ende ka hapësirë për përmirësim për barazinë gjinore”, tha ajo.

Cramon u pyet edhe për liberalizimin e vizave, ku tha se kjo tashmë nuk varet nga Parlamenti Evropiani, megjithatë tha se po punojnë shumë që kjo të ndodhë sa më shpejtë.

“Por nuk është përgjegjësi e PE që të japë dritën e gjelbër për vizat. Ne jemi duke punuar me vrull që kjo të ndodhë shpejt. Unë them që keni treguar një maturi dhe pjekuri të madhe në këto zgjedhje dhe ne shpresojmë që kjo do të vlerësohet nga Brukseli”, tha ajo.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë