Janë bërë gati dhjetë ditë që Mjekësia Ligjore nuk ka bërë publike rezultatet për vdekjen e Astrit Deharit.
Në pritje të këtyre rezultateve është edhe Prokuroria e cila momentalisht është në fazën e hetimeve për mbledhjen e provave për hartimin e shkresës së lëndës.
Kryeprokurori Sylë Hoxha, ka thënë për gazetën Express se janë në pritje të këtyre rezultateve nga Mjekësia Ligjore.
“Ende nuk i kemi rezultatet e autopsisë. Ne jemi duke punuar duke u marrë me veprimet hetimore lidhur me këtë çështje. Ne po presim kur të na informojnë Mjekësia Ligjore për raportin e autopsisë. Për momentin jemi duke i mbledhur provat të cilat na duhen për shkresat e lëndës”, ka thënë Hoxhaj.
E gjatë ditës së sotme pjesëtarë të shoqërisë civile, aktivistë e përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë mbajtur protestë duke kërkuar hetim të pavarur për rastin Dehari./gazetametro.net