(Interpretim nga poezia e Fatos Arapit)
“Fluturoj dhe shtërg’ i fundit, madhështor, me shpirt të gjorë/ Dyke shkuar që me-natë sipër malesh me dëborë…” Në poezinë “Mbarim vjeshte” L. Poradeci duket sikur e përfaqëson veten simbolikisht përmes “shtërgut”. Ky shtërg ikën me vjeshtën, por imazhi i tij dhe adhurimi për të mbetet si dhimbje e humbjes së të përkryerës, fisnikes dhe madhështores, në shpirtin e poetit.
Rreth 80 vjet para Lasgushit, në poezinë e famshme homonime Bodleri e paraqiti albatrosin si një simbol poetin. Mirëpo më gjerësisht Bodleri poetin e përfaqësoi në simbolin e mjellmës, simbol i cili u bë gati universal në poezinë moderne.
Nisur nga ky kontekst, poezia e Fatos Arapit “Mjellma e liqenit të Ohrit” duket se i përmbahet traditës poetike që mjellmën e bën simbol të poetit. Të poetit në përgjithësi apo këtu ka aludime konkrete? Te shtrimi i kësaj pyetjeje mund të arrihet vetëm pasi është analizuar paraprakisht poezia. Le ta nisim konkretisht shqyrtimin dhe interpretimin e saj.
Po më parë duhet të zgjidhim kodet e abstraksionit vizual të dy vargjeve të para. Ato na paraqiten qysh në fillim si një portë e mbyllur kështjelle. Pasi të mund të hyjmë, mund të synojmë zbulimin e aludimeve. Poezia është tepër lakonike dhe eliptike, gjithashtu e mbushur me paradokse, sepse ky vëllim kaq i vogël i tekstit nuk mund t’i kumtonte ndryshe aludimet dhe fetishizimet e mëdha.
Dy vargjet e para të poezisë së F. Arapit, të marra fjalë për fjalë, paraqiten si përshkruese. Por na tingëllojnë absurde, pasi na vënë në një sforcim, të shoqëruar me pamundësinë për të krijuar një përfytyrim konkret. Mjellma “e uli qafën” poshtë, ndërkohë që yllësia e Orionit e dimë se gjendet diku në qiell! Si mund të “ulet” qafa poshtë tek brinja e Orionit”, e cila e ka vendin “lart”?! Në fakt, më tepër se metaforike, ajo që na thuhet këtu paraqet një abstraksion vizual, i cili do të na vijë si gjëja më konkrete dhe më e natyrshme kur të zbulojmë kodin e një formulimi të tillë. Mirëpo forca përfytyruese për të bashkuar në një imazh të vetëm e të natyrshëm tokësoren me qielloren e largët është e njëjtë me forcën e fantazisë dhe masën e talentit të poetit F. Arapi.
Ndonjë student i rrallë, me pasigurinë e vet sikur po belbëzon: …mos ndoshta mjellma e Fatos Arapit është duke notuar ngadalë shumë pranë konstelacionit të Orionit, të pasqyruar në sipërfaqen e qetë të liqenit të Ohrit? Ashtu është. Dhe sa shumë informacion në këtë sintezë të imagjinatës poetike, e cila gjen shprehje në këtë sintezë gjuhësore. Ndryshe nga poezitë e Hermetizmit, kjo poezi e paska çelësin e vet, por të fshehur tek vazoja me lule në parvazin e jashtëm të dritares së shtëpisë njëkatëshe. Po të thellohesh pak, e gjen.
Mirëpo, për të zbuluar kuptimin “e mundshëm” të krejt kësaj poezi, kushtimin dhe emocionin që rrezatohet, na duhet edhe një kod tjetër shumë i rëndësishëm: mirëkuptimi shumë i arsyeshëm për të marrë prej kontekstit kulturor-letrar simbolin e mjellmës si përfaqësuese e poetit. Tek ky mirëkuptim i lexuesit, për pranimin e këtij konvencioni, duhet të shkojmë në mënyrë logjike e bindëse dhe jo në mënyrë subjektive, arbitrare. A ka teksti i poezisë shenja të qarta e të sigurta për t’i dhënë një drejtim të tillë aktit hermeneutik (interpretues)? Po ne vetëm nga shenjat e tekstit mund të nisemi dhe jo nga hamendjet apo abstraksionet tona paragjykuese! Veprimi aktiv i mundshëm i lexuesit është mbushja e “gropave të tekstit”, atë që poezia e lë ende pa thënë, në kushtet kur hapësira e lënë (posaçërisht) për “zbulimin” tonë ka formën dhe përmasat e zgjidhjes, pasi ta kemi kuptuar gjëegjëzën.
Struktura dhe domethënia e poezive të tilla janë në raporte të ngjashme me unazën e shtrenjtë dhe vendin e gropëzuar që ka ajo në kutinë e vet luksoze. Apo, më mirë, mund të marrim raportin mes këpucës dhe këmbës së Hirushes. Atë këpucë e veshën edhe dy vajzat e njerkës, por njëra prej tyre e realizoi qëllimin duke prerë pjesën “e tepërt” të thembrës së këmbës e tjetra gishtin e madh; nga këpuca e veshur prej tyre në këtë mënyrë filloi të rrjedhë gjak. Ndërkohë që një këpucë, për shembull, me numrin 36 mund t’u shkojë në këmbë të gjitha vajzave “të mbretërisë” që e kanë numrin e këmbës po aq. Dua të them se një tekst mund të pranojë më tepër sesa një kuptim (të vetëm), me kushtin që teksti t’i mbështesë bindshëm ato. Dhe me këtë sqarim teorik ne po dalim nga përralla me famë të madhe botërore, për t’u rikthyer tek poezia e vockël “Mjellma e liqenit të Ohrit” e F. Arapit.
Shënimi që gjendet poshtë tekstit poetik, në të cilin jepet informacion mbi vendin se ku është shkruar ky tekst, nuk është i rastit dhe as i kotë, por “shenjë autoriale” shumë e rëndësishme. Ky toponim gjeografik nuk është aq rastësisht jo tjetër qytet, veç Pogradecit. Dhe aty dihet se ka edhe liqen, edhe mjellma të jashtëzakonshme për nga bukuria e tyre e bardhë. Në këtë moment, prej enciklopedisë sonë del vetiu edhe fakti tjetër se Pogradeci është vendlindja e një poeti të madh që mbiemrin letrar e ka “Poradeci”. Gjithashtu në poezinë e tij ka liqen, zogj uji që quhen “nosit”, “shtërg” etj. E duke qenë poet, ky Lasgush Poradeci, mund të përfaqësohet simbolikisht prej mjellmës që gjendet në poezinë e F. Arapit. Krijimi i lidhjes asociative midis L. Poradecit dhe mjellmës-poet tek F. Arapi mund të jetë një “problemë” e lehtë për një lexues shqiptar të mirinformuar.
Nëse do t’i gruponim fjalët e poezisë së F. Arapit në paradigma sipas fushave kuptimore-tematike (izotopi-të), atëherë paradigmën më të madhe dhe kuptimplote do ta përbënin fjalët (kyçe): “malli”, “yjet/ ylli”, “fati”, “shpirti”, “nata”, “ndizet/ ndezur”, “shkrumbohet”, “kënga”, “loti”, “prushana”, “liqeni”. Premtova se do të ndërtoja paradigmën e gjerë të fjalëve me afërsi tematike midis tyre. Tradhtova veten dhe juve ju gënjeva! Dora nuk m’u bind dhe rreshtoi “fjalët kyçe” të krejt poezisë së Lasgushit. Në fakt, të gjitha këto fjalë i ka edhe teksti i F. Arapit dhe pikërisht me këto fjalë është ndërtuar kjo poezi e tij. Ato përbëjnë gjithashtu pjesën jo vetëm kryesore, por edhe më të madhe të lëndës leksikore që ka përdorur Arapi për të ndërtuar tekstin e vet “të ri”! Ky veprim është një nga manifestimet më të shkëlqyera të “intertekstualitetit”: “hipoteksti” (poezia e njërës mjellmë – Lasgushi) të jetë kaq thelbësisht i përfshirë në “hipertekst” (poezia e mjellmës tjetër – F. Arapi). Fakti që këto terma gjenden të ndërfutura brenda kompleksit të metaforave krejt origjinale, të ndërtuara me fantazi artistike të jashtëzakonshme nga F. Arapi, nuk e cenon funksion intertekstual të fjalëve me origjinë prej poezive të Lasgushit.
Kjo poezi i ka të gjitha shenjat tekstuale dhe kontekstuale se është kënga e madhe e një poeti për një poet tjetër të madh, pararendës të tij. Dhe është e thurur me një zotësi artistike të jashtëzakonshme. F. Arapi edhe nga kjo poezi dëshmon sesa poet virtuoz është, por edhe sa njohës i madh i poezisë së lartë shqipe. Nuk po hyj tani në detin e njohurive dhe vlerave të tjera njerëzore të këtij Njeriu!
“Erërat shkojnë pas erërave”, thotë në një poezi të vetën F. Arapi. Në mënyrë analoge edhe unë mund të them: “mjellmat e mëdha shkojnë njëra pas tjetrës”. Pasi na lënë neve përfundimisht, si ai “shtërgu me shpirt të gjorë”, ato ngjiten e zënë vend të përjetshëm atje lart në qiell dhe nga brinja e Orionit na shikojnë neve përjetësisht. Por edhe ne nuk mund të mos i shikojmë dot poetët e kaltëruar sa herë kemi nevojë të hedhim sytë nga qielli i mbrëmjeve të kthjellëta, atje ku gjenden yllësitë e tyre të shkëlqyera. Sa herë është dashur, ata e kanë ndezur shpirtin e natës dhe kanë kënduar për “fatet” njerëzore aq sa “brerima e lotëve” të tyre ka arritur të shuajë edhe “prushanat e ndezura”! Poetët qenkan të fuqishëm e çudibërës sa Zeusi!
Tani ju paraqes të plotë tekstin e poezisë së F. Arapit “Mjellma e liqenit të Ohrit”:
E uli qafën e brishtë
Tek brinjë e Orionit.
Derdhur e tëra prej malli.
Mbi konstelacione yjesh
E fatesh lundron,
Hutim i bardhë, mospërfillës i liqenit.
Befas shpirti i natës ndizet,
Shkrumbohet në këngën e saj.
Brerimë e lotëve shuan,
Atje përposh,
Prushanën e ndezur të Mjellmës Boreale.
Pogradec, prill 1989
Prof.As.Dr. Muharrem Jakupi