Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Brukseli zyrtar, tashmë ka hyrë në fazën më të rëndësishme dhe intensive, shkruan Gazeta Metro.
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ka konfirmuar që takimi i radhës mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vucic, do të mbahet më 18 korrik, ditë e mërkurë, në Bruksel.
Në një njoftim të lëshuar nga Zyra për Media e Shërbimit të Jashtëm të BE’së thuhet që takimi i radhës mes dy presidentëve do të shërbejë që palët të njoftohen me progresin e arritur dhe nevojën për vazhdim të procesit.
“Ajo [Mogherini] do të rishikojë përparimin e arritur në bisedimet për marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizim dhe planin për hapat dhe takimet e mëtejme, në mënyrë që të sigurohemi që puna mes dy vendeve do të vazhdojë me intensitet të shtuar”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Mogherinit.
Hera e fundit kur dy presidentët u takuan në Bruksel në kuadër të dialogut ishte e diela e 23 qershorit. /gazetametro.net